Sulmi i Realit si kameleon, shumë eksperimente nga trajneri Zidan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:13

Sulmi i Realit si kameleon, shumë eksperimente nga trajneri Zidan

Sezoni e ka bërë Zine din Zidanin një Bobi Fisher (shahist), kur bëhet fjalë për të zgjedhur treshen e sulmit në çdo ndeshje. Trajneri francez ka përdorur 11 treshe të ndryshme në sulm në 20 ndeshjet e sezonit ku ka luajtur me 3 sulmues. Trajneri ka përzier 7 elementë (Benzema, Joviç, Hazard, Bejl, Rodrigo, Vinicius, Vaskez) në tri kompeticionet: La Liga, Champions dhe Superkupa e Spanjës. 

Reali Superkupa

Nuk ka asgjë të sigurt në formacionet që përdor trajneri madrilen. Fillimi i sezonit parashikonte një sulm të përbërë nga Hazard, Bejl dhe Benzema. Dy lojtarë të shpejtë nga krahët që mund të përhapnin rrezik në çdo kohë dhe një tjetër që di të përshtatet me të gjithë. Por, nuk ndodhi ajo që pritej. Dëmtimet kanë ndryshuar planet e trajnerit madrilen, i cili është detyruar që të gjejë zgjidhje për çdo ndeshje.

Më të përdorurit 

Formacioni me Vaskezin-Joviçin dhe Rodrigon kundër Valencias ishte një risi më vete, sepse askush nuk kishte luajtur me tjetrin si titullar. Eksperimenti linte shumë dyshime përballë  një Sevije shumë të fortë, por ja që funksionoi. Serbi dha asistin e parë për Kasemiron, ndërsa Vaskez të dytin. Ja që funksionoi. Treshja më e përdorur nga Zinedin Zidan ka qenë ajo e formuar nga Rodrigo, Benzema dhe Hazard. Ky sulm solli 5 rezultate pozitive, 4 fitore dhe 1 barazim. Pastaj logjika të çon te tredhëmbëshi i parashikuar në fillim me Bejlin, Benzemanë dhe Hazardin në 4 ndeshje, por në “Bernabeu” ata kanë luajtur vetëm një herë, kur Reali i Madridit fitoi 4-2 kundër Granadës.

real

Megjithatë, ky plan mbeti në ajër për shkak të dëmtimeve të shpeshta të Bejlit dhe Hazardit, i cili gjithashtu nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Por, eksperimentet e Zidanit nuk kanë funksionuar gjithmonë. Kundër Majorkës luajtën Joviç-Benzema dhe Vinicius dhe ekipi pësoi humbje. Zizu nuk e bëri më këtë gabim për t’i aktivizuar sërish 3 sulmuesit bashkë. Në disa ndeshje delikate dhe të rëndësishme, Zinedin Zidan ka luajtur me skemën 4-4-2, por edhe me 4- 5-1 si ato të Superkupës së Spanjës. Ndryshimet e shumta dhe dëshira për të fituar e kanë detyruar trajnerin e Realit të Madridit që të bëjë eksperimente të shumta. Ende nuk ka marrë përgjigjet e duhura për të luajtur sërish me të njëjtët në pjesën e mbetur të sezonit. Eksperimentet do të vazhdojnë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"