Sulmi i frikshëm, në Rrogozhinë besojnë te shpërthimi i dyshes Pedro-Camaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 21:30

Sulmi i frikshëm, në Rrogozhinë besojnë te shpërthimi i dyshes Pedro-Camaj

Egnatia është klubi më aktiv i Superiores në merkaton e verës. Ndonëse rrogozhinasit nuk marrin pjesë në Kupat e Europës, drejtuesit kanë ndërhyrë shpejt dhe fuqishëm në treg. Deri tani e kanë përforcuar ekipin nga porta deri në sulm, pa harruar edhe emërimin e stafit të ri teknik me në krye trajnerin Edlir Tetova.

pedro egnatia

Prapavija ka marrë formë me afrimin e portierit Sherri, si dhe të tre mbrojtësve Sadiki, Musta e Frangaj. Gjithsesi, pritet edhe një qendërmbrojtës, ku emri më i lakuar është ai i Renato Malotës, që është i angazhuar me Laçin në Europë. Mesfusha gjithashtu ka ruajtur nga sezoni i kaluar disa futbollistë, si Agbekpornu, Xhekson dhe Lila. Por, reparti ku Egnatia ka besim se do ta udhëheqë këtë grup, shikohet sulmi.

Janë vërtetuar tashmë vlerat si golashënues të brazilianit Pedro, por në ndeshjet e fundit të sezonit të shkuar doli në skenë edhe Delarzh, i cili ka qenë i pari që rinovoi në Rrogozhinë. Përveç tyre, afrimi i sulmuesit Ilir Camaj nga Deçiçi e ka “blinduar” fazën ofensive të Egnatias. Shpresat janë të mëdha se dyshja Pedro-Camaj, do të jetë nga më të mirat dhe produktivet në Superiore në sezonin e ri.

Pritshmëritë janë të mëdha nga sulmi, që me mbështetjen e mesfushës parashikohet se do ta mbajnë skuadrën rrogozhinase në nivele të larta, duke mos notuar në ujërat ku përfunduan në mbylljen e edicionit të shkuar. Në Rrogozhinë të gjithë presin të shikojnë në fushë shpërthimin e dyshes sulmuese Pedro-Camaj. Dje klubi ka zyrtarizuar largimin e Ilirid Ademit dhe Besar Krivanjevës, të cilët janë “divorcuar” prej ditësh me rrogozhinasit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"