Sulmi “gropë”, Skënderbeu projekton afrimin e dy futbollistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2022 | 22:27

Sulmi “gropë”, Skënderbeu projekton afrimin e dy futbollistëve

Alfred Mensah vërtet do të mbushë arkat e Skënderbeut, por lë një “gropë” të madhe në sulm. Ganezi është duke mbyllur marrëveshjen me izraelitët e Hapoel Haderës dhe nga ky operacion klubi do të përfitojë diku te 90 mijë euro për rritjen e talentit. Me largimin e tij, zyrtarisht korçarët nuk kanë lojtarë për vijën e parë. Kujtojmë se direkt pasi u mbyll kampionati dhe lanë duart me elitën, u iku edhe Belajdi Pusi.

skenderbeu

Shkodranit i përfundoi kontrata dhe po kërkon të sistemohet diku tjetër për të vijuar karrierën. Këtyre dy largimeve u shtohet edhe mungesa e Ardit Nikajt, që ka munguar për një kohë relativisht të gjatë. Edhe pse ka një kontratë të vlefshme me Skënderbeun, shkodrani e mbylli sezonin i dëmtuar. Me atë dëmtim horror që pësoi, i duhen muaj kohë rikuperim. Për të gjitha këto arsye, ofensiva e Skënderbeut ka mbetur krejtësisht e zbrazët. E parë në këtë drejtim, merkatoja duhet të nisë pikërisht nga ky repart.

ALTERNATIVAT – Duket se pas këtyre largimeve dhe mungesave, klubi bardhekuq i ka dy emrat e parë me të cilët do të mundohet të gjejë alternativat fillestare për repartin e avancuar. Burime në klub bëjnë me dije se Skënderbeu është duke ndjekur nga afër dy pogradecarë për sulmin, duke i pasur si alternativa për një repart të boshatisur. Bëhet fjalë pikërisht për Hermes Shkulakun, që sezonet e fundit ka qenë një nga pikat më të forta të Pogradecit, madje ka mbajtur peshën kryesore para dy sezonesh kur liqenorët kërkonin kalimin në elitë.

hermes shkullaku

Po ashtu edhe një tjetër pogradecar që mbylli kampionatin e shkuar te Tomori, është nën vëzhgimin e bardhekuqve. Bëhet fjalë për Artion Alillarin, i cili ndihmoi Dinamon dy vjet më parë të ngjitej në Superiore.

Alillari

Të dy pogradecarët janë në listën e dëshirave të klubit bardhekuq, që kërkon të ketë shumë zgjidhje për të vendosur më pas se cilët do të jenë elementët e duhur për të rikthyer ekipin në Superiore. Lojtarët kanë disa kohë pa luajtur futboll, pasi rastësia bëri që të përjashtoheshin prej liqenorëve pas përplasjeve që patën me trajnerin Ardjan Abazaj.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"