Sulmi grek për Durmishajn, heshtin FSHF-ja dhe Bushi. Hezitojnë të reagojnë për sulmuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2017 | 22:48

Sulmi grek për Durmishajn, heshtin FSHF-ja dhe Bushi. Hezitojnë të reagojnë për sulmuesin

Institucioni i futbollit shqiptar heziton të re agojë për çështjen e sulmuesit të Kombëtares Shpresa, Fiorin Durmishaj. Një ditë më parë, “Panorama Sport” publikoi lajmin se për 21-vjeçarin është interesuar zyrtarisht Federata e Futbollit të Greqisë.

Madje, mediat greke kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se nuk është çudi që lojtari me origjinë nga Vlora të ndërrojë Kombëtare, edhe pse, në fakt ka luajtur deri më tani 5 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë U-21. Gazeta kërkoi dje një reagim zyrtar nga FSHF, por edhe vetë trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili ka folur gjithnjë me superlativa për Durmishajn. Mirëpo, qoftë zyra për shtyp e institucionit të futbollit, si dhe gjithashtu Bushi, nuk bënë asnjë koment lidhur me përpjekjen e federatës greke për të joshur sulmuesin shqiptar që luan me Panioniosin.

Durmishaj Panionios

Këtë sezon, Durmishaj ka shpërthyer në Greqi, madje gazetat helene e krahasojnë me ish-sulmuesin e Kombëtares së këtij vendi, Jorgos Samaras që dikur ka luajtur për Mançester Sitin dhe Sëlltikun. Gjithsesi, heshtja e institucionit të futbollit duket e çuditshme, për më tepër që zërat për Durmishajn janë shtuar. Vetë lojtari, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me atë që është shkruar në mediat greke.

NË ITALI

Një rëndësi të madhe i kanë kushtuar edhe italianët rastit të Durmishajt. Sulmuesi shqiptar i Panioniosit pritet të transferohet në Serinë A, teksa portali i specializuar “Tuuttomercatoweb” dje shkruante: “Lëvizjet e tij të ngjajnë me ato të Samaras. Sulmuesi me prejardhje shqiptare është një shpresë e rëndësishme për të ardhmen.

fiorin durmisha

Ai luan ne Superligen greke me Panionios dhe në Itali po merret gjithnjë e me tepër informacion për të. Nuk përjashtohet mundësia të ndryshojë ekip kombëtar duke qene se Federata Greke po e kërkon”. Ndërkohë, me fanellën e Shpresave, Durmishaj ka shënuar në fitoren 2-3 ndaj Islandës, ku jo vetëm u bë protagonist i një goli, por dha gjithashtu asist për Abazajn që në atë takim shënoi dy herë. Në ndeshjet e fundit me Kombëtaren U-21 ka munguar për shkak dëmtimi, të paktën kështu ka qenë konfirmimi zyrtar nga vetë trajneri Alban Bushi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"