Sulmi është i mbipopulluar, te Kukësi projektojnë huazime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 20:40

Sulmi është i mbipopulluar, te Kukësi projektojnë huazime

Afrimi i Vasil Shkurtajt dhe Filip Gligorovit ka përforcuar së tepërmi skuadrën e Kukësit, duke llogaritur edhe ardhjen e Emiljano Mustës më herët në kampin verilindor.

Kukesi Shkurtaj

Tri lëvizje që mund të konsiderohen goditje për ekipin e Longos, pasi bëhet fjalë për futbollistë që mund të zënë menjëherë një vend në formacionin e Kukësit, madje që në ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut. Sigurisht, afrimi më i bujshëm është ai i bomberit Shkurtaj, me të cilin fituan duelin me Partizanin për ta afruar në skuadër.

Në fakt, duket se merkatoja e janarit ka qenë e lidhur ngushtësisht me të kuqtë, pasi përveç duelit për Shkurtajn, Musta dhe Gligorov erdhën pasi prishën kontratën me kryeqytetasit.

EFEKTI ZINXHIR – Afrimi i lojtarëve mund të sjellë largimin e të tjerëve, edhe pse në Kukës nuk mund të flitet për ndonjë mbipopullim rolesh, përveç sulmit Dhe, duket se në majën e sulmit do të sakrifikohet një midis Puntusit dhe Dacit, të cilët duhet t’i bëjnë vend Shkurtajt. Futbollisti i kombëtares moldave, Artiom Puntus, nuk ishte i gatshëm as në stol në ndeshjen me Dinamon dhe menjëherë u krijua ideja që do të ishte i sakrifikuari pas ardhjes së Shkurtajt.

Mirëpo, burimet në klub pohojnë se ai nuk është rikuperuar ende nga COVID-i, ndaj nuk është grumbulluar, teksa do të vijojë të jetë pjesë e ekipit. Të njëjtat burime pohojnë se i sakrifikuari do të jetë Daci, i cili me shumë gjasa do të dërgohet për huazim në një tjetër skuadër, në mënyrë që të ketë edhe minuta në këmbët e tij.

Megjithatë, mbetet e gjitha për t’u parë, sepse me ardhjen e Shkurtajt, vendi i Puntus që erdhi si një “pykë” që do të ishte titullar te Kukësi, tani vihet në rrezik dhe ndoshta lojtari mund të mos e pranojë të jetë një alternativë e dytë në skuadër. Ndërkohë, Kukësi i është rikthyer menjëherë përgatitjeve, teksa me ekipin janë bashkuar edhe Shkurtaj me Gligorov. Ndërkohë, Musta pritet të debutojë në ndeshjen e radhës, sepse e shleu dënimin e kartonëve ndaj Dinamos.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"