Sulmi atomik i Besës, kur Xhafaj-Sinani peshonin 413 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2020 | 11:13

Sulmi atomik i Besës, kur Xhafaj-Sinani peshonin 413 gola

Në Kavajë kurrë s’do ta harrojnë ekipin e sezonit 2009-2010, i gjithi me lojtarë shqiptarë dhe që bëri histori, duke shkuar në Europë si fituese e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 2-1 ndaj Vllaznisë në finale. Kavajasit fituan edhe Superkupën dhe u shpallën nënkampionë të vendit. Besa e atij sezoni vendosi disa rekorde.

Besa Bomberat

Formacioni i saj përbëhej nga yje si Shehi, Arapi, Fagu, Vrapi, Dragusha, Poçi, Shkëmbi, Mihani, Mancaku, Dhëmbi, Cikalleshi, Xhafaj, Sinani, Babaj, Babamusta etj. Ishte meritë e trajnerit Shpëtim Duro që formoi këtë grup dhe e udhëhoqi drejt suksesit. Trajneri Duro ka deklaruar se nëse ai grup do të ruhej edhe sezonin 2010-2011 e më tej, nuk do të kishte Skënderbe, por vetëm Besë që do të bënte histori.

SULMI ATOMIK – Ajo që veçohet në atë ekip ka të bëjë me sulmin. Dyshja sulmuese e kavajasve ishte Xhafaj-Sinani, sulmuesit që kanë shënuar më shumë gola në historinë e futbollit shqiptar, 204 vlonjati dhe 209 shkodrani. Një dyshe sulmuese ëndrrash prej 413 golash që mbante fanellën e Besës sezonin 2009-2010.

Danjel Xhafaj shënoi 18 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit, kurse Vioresin Sinani, i cili iu bashkua Besës në janar të 2010-ës, shënoi 5 gola. Krahas tyre, atë sezon luajti dhe talenti kavajas i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, i cili më pas shkëlqeu me Kukësin dhe Tiranën e aktualisht aktivizohet në Turqi.

besa-vllaznia

Ishte kjo trio përrallore që kënaqi e argëtoi mijëra fansa verdhezinj. Vërtet një sulm atomik. Asnjë ekip në Shqipëri nuk ka mundur të bëjë bashkë të tillë sulmues race. Të mos harrojmë se pas tyre luanin lojtarë si Shkëmbi, Mancaku, Poçi e Mihani.

XHAFAJ – Sulmuesi vlonjat, Danjel Xhafaj, aktualisht jeton në Amerikë, ku vazhdon të jetë i lidhur me futbollin, por si trajner i 19-vjeçarëve të Florida Premier. “Ruaj kujtimet më të mira për Besën, stafin e saj, presidentin Bizhdili e tifozët. Ishim një grup me futbollistë me vlera dhe personalitet, me emra si Shehi, Arapi, Cikalleshi, Sinani, Mancaku, Shkëmbi, Dhëmbi, Mihani, Poçi, Leci, Babaj, Dragusha etj.

Kishim një trajner si Shpëtim Duro, i cili na trajtonte si një familje. Fituam Kupën, Superkupën dhe zumë vend të dytë në kampionat. Shpesh më kanë pyetur: pse nuk dolët kampionë? Thuajse ky grup një vit më pas fitoi titullin me fanellën e Skënderbeut.

Luanim për herë të parë bashkë dhe mendoj se nëse do të qëndronim bashkë, me siguri sezonin pasardhës do ishim kampionë. Sa për sulmin, me Sinanin e Cikalleshin, mund të them se jam ndierë mjaft komod. Vjori ishte një partner e profesionist i madh, kurse Cikalleshi i talentuar dhe plot ego e dëshirë”, thotë Xhafaj.

MIHANI – Atë ekip e kujton me nostalgji edhe ish-kapiteni i kavajasve, Meglid Mihani, i cili shprehet: “Kemi qenë ekipi më i mirë në Shqipëri dhe është meritë e presidentit Nexhat Bizhdili dhe trajnerit Shpëtim Duro. Nuk dua të citoj emra, por mjaftojnë Shehi, Arapi, Dragusha, Poçi, Mancaku, Dhëmbi, Sinani, Xhafaj e Cikalleshi. Më vjen keq që lamë titullin të na ikte nga duart në atë ndeshje me Dinamon në Kavajë, ku të gjithë e dinë çfarë ndodhi me Besën dhe gjyqtarët.

Mihani-Besa

Megjithatë, morëm Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Vërtet që luanim futboll fantastik dhe gëzuam tifozët tanë. Ishin futbollistë profesionistë të vërtetë dhe djem të shkëlqyer, funksionuam si një familje. Druaj se vështirë t’i vijë Kavajës ai grup futbollistësh. E të mendosh pastaj ku jemi sot? Nostalgji, por edhe një apel i fortë se nuk duhet të jetë Besa kjo që është sot. Ky emër duhet e mund të kthehet në të tilla vite të arta. Një rrugë e shkelur disa herë dhe e mësuar, s’ka arsye të mos shkelet përsëri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"