Sulm total për Di Marian, tek Interi argjentinasin e “sjellin” lekët e Zhoao Marios

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 13:50

Sulm total për Di Marian, tek Interi argjentinasin e “sjellin” lekët e Zhoao Marios

Merkatoja sapo ka filluar të bëhet interesante në klubin zikaltër. Pas blerjes së Naingolanit nga Roma dhe Politanos nga Sasuolo, zikaltrit kanë sjellë në skuadër edhe dy ish-lojtarë me parametra zero. Asamoa dhe De Vrij në repartin e mbrojtjes do të jenë një armë më shumë për trajnerin Spaleti. Kujtojmë që Interi ka bërë për vete edhe talentin argjentinas, Lautaro Martinez.

Ai debutoi me gol në ndeshjen e parë më skuadrën zikaltër në ndeshjen ndaj Luganos. Tani klubi po përgatitet të sjellë në skuadër dhe një lojtar, që do të luajë në krahët e sulmit, ku do të ketë për detyrë të mbështesë kapitenin e Interit, Mauro Ikardi. Ky i fundit pritet të rinovojë me Interin deri në vitin 2023, duke fituar rreth 7 milionë euro në sezon.

di maria

Sulmi për Di Marian

Argjentinasi që luan në Paris është kthyer në objektivin kryesor të skuadrës milaneze, që kërkon shërbimet. Di Maria ishte një nga lojtarët kryesorë në Botëror me skuadrën e Argjentinës, që u eliminua në 1\8-at nga Franca. Por Ausilio kërkon të bëjë për lojtarin vetëm nëse arrihet akordi me Vest Hemin për portugezin Zhoao Mario. Mesfushori nuk kërkon të qëndrojë në Milano dhe pritet të luajë në Premier Ligë. Vest Hem pritet të paguajë jo më shumë se 30 milionë euro për të bërë përfundimisht të tijin lojtarin.

Ndërkohë, Interi pritet të bëjë një ofertë për Di Marian në vlerën e 40 milionë eurove. Parisi ndërkohë ka kërkuar më shumë, por zikaltrit nuk do të shpenzojnë më shumë se çmimi fillestar. Ndërkohë, pritet në ditët e ardhshme të fillojnë sërish bisedimet për Vrslajkon, mbrojtësin kroat. Lojtari ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Atletiko e Madridit, që mund ta shesë atë nëse vjen një ofertë prej 35 milionë eurosh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"