Suksesi me Kombëtaren U-19, Bogdani: M’u duk sikur luaja vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2017 | 10:46

Suksesi me Kombëtaren U-19, Bogdani: M’u duk sikur luaja vetë

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport” pas triumfit në turneun “Roma Caput Mundi”, Erjon Bogdani tregoi emocionet e suksesit të parë në karrierën si trajner i Kombëtares U-19.

Bogdani U-19

“Është kënaqësi e madhe që nisa karrierën si trajner i U-19 me fitimin e këtij turneu. Të jem i sinqertë, ishte një ndjesi e çuditshme, pasi në disa momente më dukej vetja sikur isha unë ai që kisha veshur fanellën e Kombëtares për herë të parë dhe duhet të luaja sa më mirë. Të tilla emocione kam përjetuar vetëm në ndeshjen time të parë me fanellën kuqezi.

Gjithsesi, në ndeshjen e fundit që bëmë me Rumaninë, isha më i qetë dhe u mundova që mos të përcillja emocionet te lojtarët. U tregova i vendosur për të dhënë idetë e mia te djemtë dhe i falënderoj ata për impenjimin maksimal që kishin në katër ndeshjet që bënë në këtë turne”, tha Bogdani.

I pyetur për mesazhet që i kanë ardhur nga miqtë e tij pas suksesit të parë si trajner, ish-sulmuesi u shpreh: “Natyrisht kam pasur ngacmime dhe batuta nga miqtë e mi, të cilët tani do të vijnë të më shikojnë si stërvis ekipin. E rëndësishme për mua është që të vazhdoj me këtë seriozitet, duke punuar fort për të pasur të tjera suksese. Këtij brezi dua që të paktën t’i përcjell pasionin që kam pasur unë për futbollin dhe të japin maksimumin”.

Në fund Bogdani foli edhe për synimet që ka me këtë grupmoshë, ku prova e parë janë eliminatoret që do të zhvillohen në muajin tetor. “Ishte një aktivitet që na shërbeu, pasi lojtarët kanë nevojë të luajnë sa më shumë ndeshje. Këtë grup futbollistësh që grumbullova për këtë turne do ta vëzhgoj vazhdimisht dhe shpresoj që deri në tetor, kur kemi ndeshjet eliminatore në Shqipëri, të jemi sa më të kompletuar.

Fakti që ndeshjet e grupit tonë eliminator ndaj Ukrainës, Norvegjisë dhe Malit të Zi i luajmë në Shqipëri, do të bëjmë gjithçka për të tentuar kualifikimin. Është një brez i talentuar lojtarësh dhe gjithçka varet vetëm nga ata. Nëse do të jenë seriozë çdo ditë në stërvitje në ekipet ku aktivizohen, atëherë do t’i shërbejnë mirë edhe Kombëtares. Kjo është një moshë delikate, ku duhet shumë kujdes, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë trajnerët e ekipeve U-19 në Shqipëri”, përfundoi trajneri kuqezi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"