Sukaj: Titullin mund të na e heqë Tërbuni ose Bylisi, por jo Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2016 | 11:15

Sukaj: Titullin mund të na e heqë Tërbuni ose Bylisi, por jo Tirana

Xhevahir Sukaj ka nderuar sërish Partizanin, ndonëse me dy golat e djeshëm ka ndëshkuar skuadrën e vendlindjes që lufton për mbijetesë.sukaj

Sulmuesi që ka shkuar në kuotën e 15 golave ka deklaruar për “Supersport” pas ndeshjes që titullin kërkon që ta meritojë skuadra që do të fitojë duelin mes Partizanit dhe Skënderbeut në javën e parafundit.  Ai më shumë i druhet Tërbunit sesa të mëdhave, si dhe ka pohuar se Tirana nuk mund t’ua heqë titullin.

Keni shënuar dy gola të rëndësishëm për Partizanin në luftën për titull, por keni ndëshkuar Vllazninë që kërkon mbijetesën. Si jeni ndier në këtë ndeshje, pasi nuk festuat te golat e shënuar?

Pavarësisht se shënova, nuk është se kisha dëshirën e madhe, duke ditur se ia bëra Vllaznisë, ekipit që më rriti. Normalisht kam borxhe të mëdha karshi këtij ekipi, por jam i detyruar të bëj detyrën, pasi te Partizani “ha bukën”. Jam shumë i lumtur që skuadra fitoi, pasi përballë kishim një kundërshtar të vështirë, që gjithmonë i ka hapur probleme Partizanit në sezonet e fundit.

A u besuat syve kur patë rezultatin Skënderbeu-Tërbuni 2-3?

Sinqerisht, nuk e besoja, pasi Skënderbeu nuk i ka bërë gabime të tilla në fushën e vet. Ishte një asist shumë i lezetshëm për ne. Unë mendoj se ia vlen që kampionati të shkojë në finale. Dua që në Korçë të mos shkojmë as ne katër pikë para, por as ata 4 pikë para. Kushdo që të fitojë në atë ndeshje, të dalë kampion.

15 gola të shënuar dhe ky është një nga sezonet më rezultative për ju. Cili është goli më i bukur që keni shënuar me Partizanin?

Goli me Kukësin që fituam 1-0 është shumë i rëndësishëm, normalisht edhe në derbi, pasi ai gol pati vlerën e trepikëshit. Çdo gol është i rëndësishëm, por më shumë vlerë ka ai që të jep fitoren.

Do të përballeni edhe me Kukësin, Tiranën, Skënderbeun dhe Teutën, cilën nga këto shikoni si më të vështirë?

Unë mendoj se Partizani ndeshjet më të vështira i ka me Tërbunin dhe Bylisin në kryeqytet, pasi ndaj të fortëve kemi dhënë maksimumin. Në këtë kampionat vështirësitë më të mëdha i kemi pasur me ekipet e vogla dhe nuk e kuptoj pse nuk arrijmë që të mobilizohemi ndaj tyre, gjë e cila u pa edhe sot në pjesën e parë ndaj Vllaznisë.

Kush mendoni se e ka në dorë për ta vendosur titullin kampion?

Dy ndeshjet e ardhshme janë tepër të vështira, si për ne dhe korçarët. Është ende herët që kampionati të ndahet tani. Kur ne të presim Tiranën dhe Skënderbeu të shkojë në Durrës, do të jetë më e rëndësishmja.

Miku juaj Elis Bakaj ka thënë se Tirana do t’ia heqë titullin Partizanit këtë vit…

Titullin mund të na heqë Tërbuni ose Bylisi, por të premtoj se Tirana asnjëherë nuk mund ta bëjë këtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"