Sukaj: Të shmangim njollën e errët të historisë. E rëndësishme të luash me peshë, ashtu bën edhe Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2018 | 16:18

Sukaj: Të shmangim njollën e errët të historisë. E rëndësishme të luash me peshë, ashtu bën edhe Ronaldo

Dy fitoret e fundit të Vllaznisë kanë qenë shumë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë, sepse skuadra ende nuk ka dalë nga pozitat e vështira ku ndodhet”. Kjo është deklarata e bërë nga sulmuesi kryesor i saj Xhevahir Sukaj në konferencën për shtyp. Ai është shprehur se skuadra duhet të vazhdojë fitoret për të shmangur sa më parë rënien që do të ishte një turp i madh për të gjithë nëse do të ndodhte.

sukaj

Sukaj ka folur edhe për ndeshjen e radhës, atë të së shtunës me Luftëtarin. Sulmuesi kryesor i Vllaznisë ka lëshuar edhe një batutë kur është pyetur për peshën e tij. E rëndësishme është që në kampin shkodran ka filluar të rikthehet buzëqeshja. Ekipi ka besim se mund t’ia dalë të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive, aq të domosdoshme në këtë periudhë dhe Sukaj e ka premtuar një gjë të tillë.

Sukaj, si është situata në ekip pas dy fitoreve me radhë?

Ne kaluam dy takime shumë të rëndësishme dhe i kaluam me shumë sukses. Fituam 6 pikë të rëndë- sishme, por dua të them se ende nuk kemi arritur që të dalim në sipërfaqe. Kemi kaluar vetëm një shkallë duke ditur që përsëri Teuta aty është shumë pranë nesh.

Ekipin tani e presin dy transferta të tjera të vështira?

Ne duhet që të marrim edhe dy takimet e ardhshme siç dhe e morëm me Lushnjën e Teutën. Situata nuk ka kaluar akoma dhe nga takimi në takim situata mund të ndryshojë. Çdo ndeshje është jetike për ne. Futbolli është i paparashikueshëm dhe, nga momenti në moment, gjithçka mund të rrokulliset. Një humbje mund të na çojë sërish aty ku ishim.

Mendoni se kjo Vllazni mund të sigurojë shpejt shpëtimin?

Ne për të shpëtuar jemi duke luajtur. Njollë më të madhe sesa të bjerë Vllaznia nuk e di sesi mund të ketë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm në këtë pjesë se nëse ndodh, larg qoftë një gjë e tillë, nuk ka njollë më të madhe. Ne jemi të përqendruar maksimalisht që të mos shkojmë deri në fund që do të biem nga Kategoria Superiore.

Një përballje e vështirë këtë fundjavë?

Një ndeshje e vështirë kjo as që diskutohet. Për ne ishte një përballje e vështirë ajo me Lushnjën dhe jo më kjo me Gjirokastrën që është një skuadër shumë e mirë. Një skuadër e pathyeshme në fushën e vet. Megjithatë, duke parë edhe pozitat në të cilën gjendemi, do të kërkojmë që të mos dalin pa pikë nga kjo sfidë. Ne shkojmë, pse jo, për tri pikë. Nëse do të arrijmë një trepikësh në anën tonë, atëherë kjo do të thotë një qetësi absolute.

Në fund, si duket gjendja e Sukajt, pasi është thënë se jeni mbi peshë?

Është shumë e rëndësishme të luash me peshë. Pasi me peshë luan edhe Ronaldo.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"