Sukaj i pavendosur për Flamurtarin, anulohet afrimi tjetër nga Brazili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 14:36

Sukaj i pavendosur për Flamurtarin, anulohet afrimi tjetër nga Brazili

Flamurtari pret përgjigjen nga Xhevahir Sukaj. Administratori Sinan Idrizi i ka ofruar shkodranit postin e drejtorit sportiv, por pa hequr dorë nga futbolli.

Sukaj

Ai është përfshirë edhe në planet e trajnerit Dritan Resuli si sulmues. 33-vjeçari nuk është dukur më në Vlorë që pas takimit të fundit që zhvilloi me kreun e klubit.

Duket se shkodrani është ende i pavendosur për të ardhmen dhe po e shqyrton mirë mundësinë e nisjes së një aventure të re në Vlorë, tanimë edhe si zyrtar.

“Panorama Sport” kontaktoi me Xhevahir Sukajn rreth ofertave të klubit vlonjat. Por, sulmuesi as e ka pohuar dhe as e ka mohuar një rikthim te Flamurtari.

“Për këtë çështje do të flasim një moment tjetër”, ka deklaruar shkurtimisht ai. Mbetet për t’u parë nëse Sukaj do t’i pranojë dy propozimet e Idrizit.

Duket se merkatoja po shkon drejt mbylljes. Odaildo Souza de Oliveira do të jetë lojtari i vetëm i huaj në radhët e kuqezinjve.

Drejtuesit e klubit ishin në bisedime edhe me një lojtar tjetër brazilian, por orët e fundit konfirmohet se ai mund të mos vijë në Vlorë.

Nuk jepen shumë hollësira se përse nuk u krye ky transferim te Flamurtari, ashtu sikundër as të dhëna për lojtarin që mbeti enigmatik.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"