Sukaj e pranon: Tirana luajti më mirë, por Zoti dhe fati ndihmuan ekipin më të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 22:28

Sukaj e pranon: Tirana luajti më mirë, por Zoti dhe fati ndihmuan ekipin më të drejtë

Xhevahir Sukaj e pranon se Tirana luajti më mirë se Partizani në derbin e fituar 2-1 nga të kuqtë, por sipas tij, Zoti dhe fati ndihmuan skuadrën më të drejtë. Në një prononcim për mikrofonin e “Gol pas Goli”, sulmuesi shkodran që vulosi suksesin e të kuqve katër minuita para fundit, mes të tjerash zbuloi edhe çfarë i tha arbitrit pas ndeshjes.

Sukaj

Deklaratat e Sukajt:

Goli më i rëndësishëm?

“Ishte ndeshje e fortë, duke ditur që Tirana do të mobilizohej shumë më tepër sesa kundër ekipeve të tjera. Për ne ishte e domosdoshme fitorja. Thirrja e tifozëve bëri që unë të futesha në lojë, por normalisht ishte edhe dëshira e trajnerit. Tifozët janë shumë të lumtur për golin tim, por edhe unë, sepse po të ndaleshim sot do të ishte e vështirë të rikuperonim pikët e lëna në këtë pikë të kampionatit”.

Sukaj mbipeshë?

“Duke luajtur me njëri-tjetrin në ekip, një shoku jonë futbollist bën një montazh ku e nxjerr Xhevon në foto me bark. Para nja dy ditësh shoh në një gazetë të përditshme që thuhej se para pesë javësh kundër Korabit, Sukaj ishte në formë të mirë, tani pas një muaji jam mbipeshë. Normalisht duhej të ishte e kundërta, ndaj më erdhi shumë keq. Kam kaluar një dëmtim shumë të vështirë, pas të cilit shumë pak futbollistë do të riktheheshin të luanin. Ishte një ulje ndaj meje nga ata që pretenduan se jam mbipeshë, ndaj festova në atë mënyrë. Në momentin që mendoj se nuk mund t’i jap gjë futbollit, të jeni të bindur që mund ta lë edhe që nesër, pasi kam fituar gjithçka. Por jam 29 vjeç dhe ndiej që kam forcë më tepër nga sa kam pasur”.

Sukaj ferkon barkun

Rezerva ndaj arbitrit

“Në gjithë botën, në përgjithësi në derbi bëhet tifo për ekipin më të dobët. Ka plot raste për shembull kur Torino e ka mundur Juventusin. E dija që ishte ndeshja më e vështirë, duke ditur edhe që arbitrat vijnë me mision. Unë e di shumë mirë që Tirana luajti më mirë se Partizani sot, por Partizani ka një dëshirë, një ego dhe shpirt gare që të gjitha ekipet e tjera shqiptare i vijnë prapa dhe e kanë zili. Zoti dhe fati ndihmuan ekipin më të drejtë. Gjyqtari sot mu duk se ishte tendencioz ndaj nesh dhe më erdhi shumë keq. Edhe pas ndeshjes i thashë ‘je djalë i ri, ke mundësi të shkosh lart’”.

Biseda me Starovën pas ndeshjes

“Ne lojtarët ishim të mendimit të bënim një festë sot pas fitores, por trajneri dha urdhër të shkonim të gjithë nëpër shtëpi, pasi të premten tjetër kemi një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme, ku duam tri pikët ndaj Kukësit. Kjo ishte biseda me Starovën pas ndeshjes”.

Rivaliteti për fanellën e titullarit

“Rivaliteti ka qenë, se po ta shohësh stolin e Partizanit, është një ndër më të kompletuarit në Shqipëri. Njëlloj ka për të qenë deri në javën e fundit, megjithatë nuk ka xhelozi. Nuk është problem edhe nëse jam rezervë, pasi të gjithë jemi për një qëllim: të fitojmë titullin, për të cilin të gjithë po bëjmë maksimumin. Nuk është çudi ta shihni sërish Sukajn në stol, por nuk ka asnjë problem”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"