Suarez ul rrogën ndjeshëm për të kaluar tek Atletiko, zbulohen prapaskenat e ndarjes me Barçën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 9:39


Suarez ul rrogën ndjeshëm për të kaluar tek Atletiko, zbulohen prapaskenat e ndarjes me Barçën

Luis Suarez është futbollisti më i ri i Atletikos së Madridit. Sulmuesi uruguaian do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me ekipin e Diego Simeones, pasi ditën e djeshme prishi kontratën me Barcelonën. “Çolo” ishte shumë këmbëngulës për ta transferuar 33- vjeçarin në Madrid sapo mësoi që raporti i tij dhe i katalanasve do të prishej.

suarez

Argjentinasi ishte i bindur për të marrë në skuadër një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Mediat spanjolle kanë zbuluar edhe detajet e kontratës që ka arritur paraprakisht Suarez me Atletikon e Madridit. Ai do të firmosë për dy vitet e ardhshme dhe do të ketë pagë vjetore 9 milionë euro në vit, shifër e konsiderueshme në një kohë krize ekonomike kur ekipet u kërkojnë lojtarëve që të ulin pagat. Mirëpo, Suarez paguhej 30 milionë te Barcelona dhe nuk mund të zgjidhte lehtësisht destinacionin Madrid, nëse nuk do të kishte një pagë të mirë për të.

Sapo u mbyll marrëveshja për kalimin e Moratës te Juventusi, menjëherë u krijua hapësira për Suarezin tek Atletikoja e Madridit.luis suarez

PRAPASKENAT

Luis Suarez nuk është më lojtar i Barcelonës. Sulmuesi uruguaian arriti akordin me drejtuesit e klubit katalanas për të prishur kontratën, e cila ishte e vlefshme edhe për një vit tjetër. Sulmuesi hoqi dorë nga një pjesë e rrogës së tij për t’u konsideruar lojtar i lirë dhe për ta vendosur vetë të ardhmen. Sipas “RAC1”, Suarez do të largohet nga “Camp Nou” si futbollist i lirë, por për ta fituar këtë liri duhet që të hiqte dorë nga një pjesë e pagës nga kontrata që e lidhte atë deri në fundin e vitit 2020-2021.

Kujtojmë që paga e “El Pistoleros” ishte afro 30 milionë euro, por ende nuk ka një shifër ekzakte se sa do të përfitojë dhe sa i ka “falur” Barcelonës. E sigurt është që Barcelona nuk do të përfitojë asgjë nga largimi i tij, por thjesht duhet të kënaqet me faktin që nuk do të paguajë të gjithë rrogën. Luis Suarez ka qëndruar te Barcelona për 6 sezone dhe ka arritur të fitojë tituj të rëndësishëm individualë dhe me skuadrën.suarez

Ai është golashënuesi i tretë i historisë së klubit. Pasditen e djeshme u paraqit në qendrën stërvitore të Barcelonës për të takuar shokët e skuadrës. Trajneri i ri, Ronald Kuman, ia bëri të qartë që në fillim se nuk do të mbështetej më tek ai. Barcelona është në një proces të rinovimit të skuadrës. Pas largimeve të Rakitiçit dhe Vidalit, Suarez është i radhës. Umtiti gjithashtu po kërkon gjuhën e përbashkët për t’u larguar.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com