Suarez dënohet me 4 muaj, shpërthen në lot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2014 | 9:57

Suarez dënohet me 4 muaj, shpërthen në lot

SuarezBëri gjithçka për ta fshehur në fushë kaf shimin e tij, por ndoshta do të kishte qenë më mirë sikur t’i ishte dorëzuar arbitrit Moreno dhe me një karton të kuq mbase do ishte pezulluar vetëm 3 ndeshje, një dënim që ngjan si një shaka, krahasuar me dorën e ashpër që ofroi prova televizive. Pikërisht kështu, sepse dje Këshilli i Disiplinës në FIFA “i ka shkulur dhëmbët” 27-vjeçarit, duke e mbyllur përpara kohe Botërorin e tij. Futbollisti është skualifikuar me 9 ndeshje zyrtare, të vlefshme për Kupën e Botës (eliminatore për këtë kompeticion dhe sfida të vlefshme për fazën finale të një kompeticioni të tillë), vendim i cili do të hyjë në fuqi që nga sfida e ardhshme e 1/8-ave kundër Kolumbisë. Por më e keqja nuk përfundon këtu, sepse për kafshimin e tij ndaj Xhorxho Kielinit, Suarez duhet të vuajë edhe një skualifikim prej 4 muajsh, i cili do i ndalojë amerikanojugorit pjesëmarrjen nga çdo aktivitet sportiv, por njëkohësisht nga çdo ambient sportiv, përveçse një gjobë prej 82 mijë e 226 dollarësh (100 mijë franga zvicerane). “Të tilla sjellje nuk mund të tolerohen nga FIFA, aq më shumë gjatë një Botërori, që tërheq sytë e miliarda sportdashësve”, – ishte reagimi i zëdhënëses së shtypit në FIFA, Delia Fisher. Ky lajm ka mbërritur pikësëpari në grumbullimin e Uruguait, ku Suarezi ka shpërthyer në lot, në krahët e një prej ndihmësve të trajnerit Tabarez. Duke lënë mënjanë skualifikimin që e përfshin me Uruguain, ato që shqetësojnë janë katër muajt mungesë (numërimi filloi nga dje) që i duhet të durojë klubi anglez i Liverpulit. Sipas llogarive të bëra menjëherë nga media, ai do të humbë 9 ndeshje të Premier Ligës, 3 të parat në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve dhe 1 të Kupës së Ligës angleze. Federata uruguaiane do të apelojë, por mbase edhe Liverpuli. Këta të fundit i kanë vuajtur shumë mbi shpatulla bëmat, ose më saktë kafshimet e tij, por edhe Ajaksi. Ky kundër Kielinit ishte makabriteti i tretë brenda pak vitesh, ndërsa “viktimat” e tjera kanë qenë Bakal në kampionatin holandez dhe Ivanoviç i Çelsit, dënime këto që e dërgojnë në 35 ndeshje numrin total të skualifikimeve. I vetmi lëshim që FIFA ka bërë lidhet me mosfrenimin e lojtarit nga tratativat e mundshme të merkatos së verës, sepse Barcelona duket se e ka mbyllur tashmë blerjen e Luis Suarezit.

Presidenti i Uruguait i del në mbrojtje
Përveç reagimeve të federatës dhe ministrit të Sporteve, në Uruguai dënimi i Luis Suarezit nga ana e FIFA-s ka prekur edhe presidentin e vendit, Hoze Muhica, që nuk e pranon kurrsesi dënimin. “Unë personalisht nuk pashë që Suarez të kafshonte dikë. Por, nëse duam të analizojmë pamjet filmike pas çdo sfide, atëherë ndonjëri rrezik edhe ndonjë dënim me burg. Në futboll, mua më kanë mësuar se bëhet ajo që vendos vetëm arbitri në fushë, jo një tjetër nga jashtë që mund të ketë interesa të vetat. Pastaj, futbolli është edhe lojë nervash, muskujsh, burrash. Ne nuk e kemi dërguar Suarezin në kombëtare sepse ai është një filozof, apo një engjëll që duhet të japë një shembull të mirë, ne e duam në Botëror sepse është një atlet fantastik dhe do përdorim të gjitha mjetet e mundshme për ta frenuar këtë vendim”.

Amerikano-jugorët këmbëngulën për një dënim të ulët
Media angleze ka ofruar dje një prapaskenë shumë interesante në lidhje me vendimin që FIFA priste të merrte kundrejt sulmuesit Luis Suarez, pas kafshimit të tij ndaj Xhorxho Kielinit. Sipas burimeve britanike, të gjitha federatat e futbollit në Amerikën e Jugut u bashkuan në mbrojtje të sulmuesit uruguaian, në tentativën për të bindur FIFA-n që t’i jepte një dënim sa më të ulët futbollistit të Oskar Uashington Tabarezit. Mirëpo, edhe pse Këshilli i Disiplinës për 10 orë me radhë shqyrtoi këtë çështje, duke hasur edhe në debatet me përfaqësuesit e federatave amerikano-jugorë, në fund nuk u tundua, por akordoi me bindje të plotë skualifikimin e futbollistit me 9 ndeshje nga kombëtarja dhe me 4 muaj nga arena ndërkombëtare me klubet.
Kthehet në shtëpi – Dënimi që ka hyrë në fuqi menjëherë e ka detyruar Luis Suarezin që të linte grumbullimin e kombëtares uruguaiane dhe Brazilin, pasditen e djeshme. Duke llogaritur kohëzgjatjen e vendimit të FIFAs, futbollisti 27-vjeçar do të ketë kohë të “dëfrehet” deri në fund të muajit tetor, kur përfundon dënimi i tij.

“Presim raportin, pastaj apelojmë”
Liverpuli është po aq i prekur sa kombëtarja nga dënimi i Luis Suarezit. Fakti që klubi i kuq e paguan 10 milionë euro në sezon sulmuesin, ata do të vlerësojnë një lëvizje të mundshme, por përpara presin raportin e plotë të FIFA-s: “Klubi i Liverpulit prej të analizojë me kujdes raportin e Disiplinës, përpara se të bëjmë komente të nxituara. Pasi ta vlerësojmë, do vendosim nëse të apelojmë për 4 muajt pezullim, ose jo”, – tha administratori Ian Ajre

Lugano e mbron sërish shokun
Diego Lugano e kishte mbrojtur brenda dhe jashtë fushës së lojës, por pas vendimit të djeshëm ai kthehet sërish në “skenë”, në mbrojtjen e radhës që ofron për shokun e tij. “Indinjim, pa forca, këto janë ndjesitë që na shoqërojnë pas këtij vendimi që e bënë edhe më të padrejtë botën në të cilën jetojmë. Ligji ka rënë në duart e të fortëve, e atyre të fortëve që nuk e zbatojnë njësoj për të gjithë. Gjithsesi, një si Suarezin nuk e thyen as kjo”.

Edhe “Adidas”-i tradhton Suarezin
Pas kazinosë online “888poker”, e cila nuk humbi kohë, por prishi menjëherë kontratën me Luis Suarez, pas kafshimit të tij kundër Xhorxho Kielinit dje ka ardhur një tjetër shuplakë për sulmuesin uruguaian. Me të mësuar dënimin e ashpër që FIFA urdhëroi kundër sulmuesit të Liverpulit, edhe gjigandi gjerman, “Adidas” doli hapur duke deklaruar ndarjen nga Suarezi: “Një kompani si e jona distancohet nga të tilla gjeste”, – tha zëdhënësi i kompanisë së veshjeve sportive, Oliver Brygen.

Meritonte një dënim edhe më të rëndë
Nga MARTIN LIPTON
Shpeshherë FIFA akuzohet se nuk merr vendimet e duhura, por sot (dje) bëri detyrën që i takon. Mbase në Montevideo, dënimi për Luis Suarezin duket një makabritet më i madh se ai kafshim i tiji ndaj Xhorxho Kielinit, por unë dhe shumë kolegë të tjerë mendojnë se është më se i drejtë, mbase disi më i lehtë se sa e meritonte. Të gjithë mund të thonë se unë kam një konflikt të hapur me Suarezin, por përkundrazi, jam një fans i tiji. Dhe si i tillë arsyetoj me veten: 9 ndeshje skualifikim nga aktivitetet me kombëtaren mund të jenë të drejta, por 4 muajt skualifikim nga fusha e lojës nuk më duken një vendim i rëndë, përkundrazi, duke menduar se ky kampion fantastik si Suarezi ka kafshuar egërsisht dhe përpara syve të të gjithë botës tre kundërshtarë të ndryshëm, në një afat kohor prej katër vitesh. Kjo po që është një çmenduri, jo dënimi i FIFA-s… Suarezi gjithashtu ka rënë në sy dhe është provuar se është një keqbërës serial dhe nuk më intereson fare nëse ai është një djalë i mirë, një djalë që kujdeset për familjen e tij, unë e njoh Suarezin si lojtar në fushën e lojës dhe vlerësimin për karakterin e tij e jap në saj të asaj që shohë në fushë, nga asgjë tjetër. Më e keqja është se përpara kësaj Kupe Bote, gjatë një interviste të tij në Holandë, ai theksoi se këto kafshimet e tij e kishin baltosur figurën e tij, e bënin të ndihej në turp, aq sa përpara të gjithë botës premtoi se nuk do e përsëriste më kurrë atë gjest, sepse ishte i shqetësuar se çfarë mund të mendonin fëmijët e tij për të. Por Suarezi jo vetëm që nuk e ka humbur vesin, por duket se ka humbur edhe memorien, pasi viktima e radhës ka emër dhe fytyrë, por mbi të gjitha është i treti që e pëson… Koha e faljeve ka përfunduar. Jam dakord gjithashtu se një person i tillë ka nevojë për një terapi, por fillimisht duhet të vuajë dënimin e merituar…
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"