“S’ua prishja dot miqve, por Mërgjyshi…”, presidenti i Besës: Nga Superiorja pres…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2021 | 18:33

“S’ua prishja dot miqve, por Mërgjyshi…”, presidenti i Besës: Nga Superiorja pres…

U duk sikur Besa po dështonte në mer kato, por situata ndryshoi dy javët e fundit. Fillimisht morën në huazim mesfushorin Erald Hyseni nga Tomori dhe më pas mbrojtësin Kevin Nunjesh. Megjithatë, nuk do të mbyllet me kaq. Një tjetër “goditje” po projektohet për mesfushën. Është vetë Nexhat Bizhdili që e konfirmon këtë, ndonëse tregohet i rezervuar për të zbuluar emrin. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, presidenti tregon se nuk është e lehtë të gjesh të duhurit në këtë kohë. Edhe pse të shumtë janë ata që u janë ofruar, kreu i klubit saktëson se “veton” për çdo përforcim e ka Artan Mërgjyshi.

Bizhdili-2

“Pata premtuar se do të afroja futbollistë cilësorë në janar, që me patjetër duhet të merrnin OK-in e trajnerit. Nga natyra unë e kam të vështirë t’ua prish miqve, kolegëve dhe pranova mjaft lojtarë, por me kushtin që Mërgjyshi ta kishte fjalën e fundit. Trajneri e stafi më thanë troç se do t’i mbanin nëse unë doja. Gjithsesi, më sqaruan se nuk vlenin për Besën dhe nuk kishin cilësitë, përvojën dhe nevojat në poste që Besa ka. Në këto kushte respektova pa mëdyshje vendimin e tyre.

Mes shumë tratativash arrita të sillja në Kavajë mesfushorin Eraldo Hyseni dhe para ca ditësh Kevin Nunjes. Kuptohet se në këto 2 raste Mërgjyshi dha OK-in e menjëhershëm. Pastaj ju duhet ta dini se sa vështirë është të gjesh lojtarë titullarë, siç ne duam, në këtë periudhë. Po, jam i kënaqur me këto dy afrime cilësore. Gjithë këto javë, në mungesë të afrimeve, kam negociuar për të marrë ndonjë huazim nga Kategoria Superiore. Lojtarë që ndoshta nuk i kanë hapësirat që duan tek ekipet e tyre.

Me 2 klube rashë dakord për 2 futbollistë, por ata u larguan jashtë Shqipërisë. Po ju tregoj se jemi 90% drejt mbylljes së marrëveshjes me një mesfushor nga elita. Nuk po ju jap emër, pasi brenda 2-3 ditësh do ta shihni në fushë me Besën. Besoj se me 3 prurje cilësore jemi plotësisht gati dhe të kompletuar për të vijuar luftën tonë drejt ngjitjes. Miqësoret e fundit më kanë lënë shije të mirë, pasi grupi ka treguar një formë optimale. Le të presim në javën e ardhshme, për ta dëshmuar këtë edhe në fushë kundër Lushnjës”, përfundoi numri një i klubit kavajas.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"