“S’u kurseva në merkato”, presidenti Noka vendos “rregulla”: Dua rezultate!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 21:50

“S’u kurseva në merkato”, presidenti Noka vendos “rregulla”: Dua rezultate!

Gjok Noka “ndez” Kategorinë e Parë. Një ditë para nisjes së sezonit, presidenti shpall hapur objektivat. Synon vetëm ngjitjen dhe ky është shkaku që u tregua “bujar” në merkato dhe afroi 14 lojtarë. Edhe pse nuk kishin në lan që të bënin ndërhyrje të mëdha, planet ndryshuar me rënien e Dinamos dhe Skënderbeut apo ngjitjen e Flamurtarit. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubi vendos rregullat e tij. I plotësoi dëshirat stafit teknik, por tani pret rezultatet. Madje, kërkon pikë që nesër në Cërrik.

Noka

“Duke parë forcimin e Kategoria e Parë, u detyrova të ndërhyja fuqishëm në merkato. Pas ardhjes së tri ekipeve historike të elitës së futbollit tonë, si Dinamo, Flamurtari e Skënderbeu, gjithçka ndryshoi. Aty ku trajneri Bruka dhe stafi i tij kërkuan rifreskimin e ekipit, unë ju përgjigja menjëherë. Mora 14 futbollist. Pjesa më e madhe e tyre janë mjaft cilësorë. Tani unë nga stafi teknik kërkoj mirëmenaxhimin teknik, për të pasur rezultate të vazhdueshme pozitive. Besëlidhja që në start duhet që të marrë pikë edhe pse e nisim në transfertë.

Gjatë fazës përgatitore ekipi dhe stafi më kanë kënaqur, pasi nga miqësorja në miqësore pati vetëm ngritje galoponte, çka mendoj se është një garanci për sukses gjatë gjithë sezonit. Dihet se Besëlidhja përveç ngjitjes në Superiore nuk mund të ketë tjetër objektiv, kështu që të gjitha bateritë për këtë objektiv madhor i kemi karikuar me energji cilësore. Jam i bindur se nëse stafi teknik së bashku me futbollistët do të japin maksimumin e kapacitetit të tyre, pa frikë deklaroj se do të shihni një Besëlidhje të frikshme.

gjok noka

Tani të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te java e parë. Të gjitha ekipet, pavarësisht emrit apo historisë, do t’i vlerësojmë maksimalisht dhe si pretendentë. Ekipi do të grumbullohet që të premten (sot) dhe do niset drejt Cërrikut, për të qenë të freskët të shtunën. Një nisje pozitive do të thotë lehtësim i rrugës drejt objektivave. Tani fjalën e fundit dhe të vërtetë do ta thotë fusha, ku do të përballen nga 11 burra mes tyre. Më i miri le t’i gëzohet fitores”, përfundoi numri një i klubit lezhjan.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"