Stuhia prish stadiumin e Fierit, flet përgjegjësi i klubit të Apolonisë: Tenda ra në rrugë, fat që s’kalonte njeri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 21:00

Stuhia prish stadiumin e Fierit, flet përgjegjësi i klubit të Apolonisë: Tenda ra në rrugë, fat që s’kalonte njeri

Përgjegjësi i klubit shumësportësh Apolonia, Palion Zarka, ka sqaruar për “Panorama Sport” atë që ndodhi në stadiumin “Loni Papuçiu” gjatë drekës së djeshme.

WhatsApp Image 2022-03-31 at 7.25.59 PM (1) (1)

Ish-çiklisti i njohur fierak, i cili ka marrë një rol drejtuesi në klub, duke qenë përgjegjës për infrastrukturën sportive tek Apolonia (stadiumin, aneksin dhe fushat për akademinë), deklaroi për gazetën se duhet pritur qetësimi i motit që më pas bashkia të ndërhyjë me mjetet e nevojshme për heqjen e tendës.

Palion, si ndodhi që tenda e stadiumit u shkatërrua?

Rreth orës 15:00 ka qenë një ciklon i madh, i shoqëruar me një stuhi të paparë. Është dëmtuar e gjithë struktura metalike e tendës së vendosur në tribunën e stadiumit “Loni Papuçiu”. Nga era e fortë, tenda është spostuar në anën tjetër, ku kalon rruga e makinave.

Fatmirësisht nuk ka pasur dëme, pasi në atë rrugë kalojnë edhe kalimtarë të rastit, përveç automjeteve. Tashmë shpresojmë të qetësohet disi situata, sepse realisht moti vazhdon të jetë i keq. Po marrim masa sa më shpejt për ta hequr, por nuk mund të nxitohemi pa u stabilizuar koha, pasi kështu rrezikohet edhe jeta e njerëzve.

Kur mund të ndërhyhet?

Besoj nesër (sot) do të angazhohen punonjësit e bashkisë për të hequr tendën. Aktualisht ajo ka zënë një pjesë të rrugës dhe është në tokë, prandaj dhe nuk mund të shkaktojë më dëme të tjera. Me qetësimin e kohës do të marrim masat e duhura, pasi nuk është diçka e vogël. Kërkon mjete të tjera për ta hequr si strukturë metalike.

Me sa dimë ajo rrugë të çon edhe tek akademia e klubit, në atë orar ka pasur ekipe që stërviteshin?

Rruga ku ka rënë tenda e tribunës të çon tek akademia e klubit të Apolonisë dhe ka qenë fat i madh që në ato momente nuk ka pasur as kalimtarë dhe as makina që mund të kalonin. Zakonisht aty kalojnë shpesh futbollistët e grupmoshave të Apolonisë.

Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe vitin e kaluar, si ka mundësi që nuk u morën masa?

Nuk ka rënë tenda në vitin e kaluar, por me sa duket, duke qenë erë e fortë, ajo lëvizi dhe për arsye sigurie, u larguan të gjithë ata që qëndronin në tribunë në ndeshjen Apolonia-Tirana. Kjo ka qenë një minitribunë e projektuar shumë vite më parë. Shpresojmë që të bëhet një projekt i mirë dhe ta kthejmë në një tribunë siç duhet.

Për këtë duhet të flasin inxhinierët, pasi nuk jam kompetent. Unë jam përgjegjës për mirëmbajtjen e stadiumit dhe fushat e akademisë. Infrastruktura këtu është goxha e mirë, por besoj ky problem me tribunën do të zgjidhet shpejt. Bashkia dhe presidenti i klubit do të diskutojnë në vazhdimësi për këtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"