Stres për trajnerin Ilir Daja, i shkon “dëm” skaneri i Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 19:50

Stres për trajnerin Ilir Daja, i shkon “dëm” skaneri i Kastriotit

Shpresojmë që nga fund java të nisë realisht se zoni i ri. Nuk mund të flas me garanci 100%, por me mundësi. Uroj që të nisim më së fundmi këtë javë”. Kjo ishte dëshira e trajnerit të Partizanit, Ilir Daja, dhënë për “Panorama Sport” pas miqësores së fundit me ekipin B.

Daja

Fillimi i edicionit të 82-të të Kategorisë Superiore mbetet një enigmë e pazgjidhshme. 12 shtatori ishte caktuar si datë fillestare. U bënë gati tetë javë që Partizani e nis fillim javën me idenë e ballafaqimit me Kastriotit, e vlefshme për javën e parë të kampionatit.

Por ëndrrat me Kastriotin nuk po dalin, pasi thuajse dështoi edhe bindja e fundit që kishin, ku mendohej se këtë fundjavë do të takoheshin zyrtarisht me krutanët. “Panorama Sport” ka mësuar se stafi me në krye trajnerin Daja në ditët e fundit e kishin marrë me seriozitetin më të lartë përpilimin e planit për këtë fundjavë duke marrë masat dhe studiuar strategjinë për Kastriotin.

Mësohet se stafi ka studiuar imtësisht kundërshtarin duke shfrytëzuar pamjet e miqësoreve të fundit që Kastrioti ka zhvilluar, në mënyrë që duke nisur nga dje të kuqtë të mendonin konkretisht për krutanët. Mbledhja e djeshme e ligës ka bërë që të dështojnë sërish planet dhe ëndrrat e “demave” në lidhje me duelin ndaj Kastriotit.

Shtyrja pafund dhe mungesa e një date fikse për fillimin e sezonit po kthehet në stres më vete, jo vetëm për stafet teknike që përpilojnë ngarkesën stërvitore javore, por edhe për vetë lojtarët pasi stërvitjet pa ndeshje zyrtare janë kthyer në rutinë.

Partizani

E MIRA E SHTYRJES- Me shumë mundësi as këtë fundjavë nuk do të nisë kampionati, gjithsesi kjo shtyrje e radhës sërish i shkon përshtat Partizanit. Dihet se në javën e shkuar disa futbollistë kanë qenë larg përgatitjeve me grupin, kjo për shkak të dëmtimeve apo virozëve të stinës. Me shtyrjen e radhës këta lojtarë kanë kohën e mjaftueshme për t’u rikuperuar dhe me shpresën se do të jenë gati.

Problemet e skuadrës u vunë re në miqësoren e fundit me Partizanin B ku gati gjysma e titullarëve nuk ishin gati, duke filluar nga portieri Hoxha, mbrojtësit Idrizaj dhe Bitri, mesfushori Ulliam Melo si dhe sulmuesi Theofilus Solomon.

Madje edhe disa të tjerë me probleme u provuan vetëm një pjesë loje. Mungesa e komandës “zjarr” për fillimin e kampionatit, përveç problemeve komplekse që krijon kryesisht te stafi teknik, ka edhe anën pozitive pasi lojtarët me probleme mund ta kapin startin, pasi nuk pritet të luhet as këtë fundjavë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"