“Stres dhe rroga të pamarra”, Andoni “SMS” të fortë lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 1:00

“Stres dhe rroga të pamarra”, Andoni “SMS” të fortë lojtarëve

Pas plot 7 sezonesh, ka ardhur “divorci” përfundimtar mes Dejan Andonit e Apolonisë. Mesfushori është produkt i akademisë dhe u ka qëndruar besnik fierakëve. Ndarja nuk i ka lënë shije të mirë 25- vjeçarit, i cili sezonin e fundit mori vetëm 6 minuta me ekipin e parë dhe u aktivizua me skuadrën U-21. E megjithatë, ai e ka lënë gjithçka pas krahëve dhe tashmë është duke shqyrtuar ofertat.

Andoni Apolonia

Dhe nuk janë pak, duke filluar nga Skënderbeu e Egnatia në elitë, si edhe Lushnja, Tomori, Besa, Bylisi e Butrinti nga Kategoria e Parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai rrëfen gjithçka për veten dhe nuk mungon as mesazhi i fortë për lojtarët e Apolonisë: “Suksese dhe u largofshi sa më parë nga kjo skuadër!”

Andoni, si erdhi ndarja me Apoloninë dhe cilat ishin arsyet?

Ishte edhe dëshira ime në fakt. Kjo, për shkak se nuk u aktivizova fare gjatë gjithë sezonit te skuadra e parë. Më pas, nga muaji mars, ishte klubi që më kërkoi të ndërprisnim marrëdhënien bashkë. U kërkova arsyet, por nuk m’i thanë. Pastaj më kërkuan që të bëja një kërkesë që të largohesha me dëshirën time. Kuptohet që 3 muajt e fundit të mbetura në kontratë nuk m’i paguan, por nuk ka problem, ua kam falur.

Si e keni përjetuar situatën e mosaktivizimit te skuadra e parë, por të qenit kapiten i U-21?

Me shumë stres. Është fyese për ne lojtarët e përvojës që të luajmë me një skuadër poshtë grupmoshës sonë. Na priten krahët dhe normalisht që nuk ka motiv për të dhënë maksimumin në fushë. U-21 është një mundësi e mirë për të rinjtë, jo për lojtarë të eksperiencës.

Ishte një situatë që mendoj se m’u krijua enkas nga krerët e klubit në një sezon që unë mezi e prisja, sepse Superiorja është vitrinë për çdo futbollist, por ma punuan pas shpine. Në fillim të sezonit unë isha zv.kapiten i skuadrës së parë, por më degdisën te 21-vjeçarët.

Sipas jush, pse dështoi Apolonia këtë sezon në Superiore?

Kryesore është se thuajse gjithë ekipi është me djem të rinj, pa përvojë dhe munguan përforcimet e duhura me lojtarë të sprovuar dhe me eksperiencë.

Klubi mendon më shumë si të shesë lojtarë, jo si të konsolidojë ekipin. Nuk e kemi kuptuar dot largimin e profesor Mërgjyshit dhe ndërrimin më pas të shumë trajnerëve, një tjetër faktor negativ për ecurinë e skuadrës. Pati një gjë të mirë ky kampionat i Superiores: përvetësuam goxha mirë gjuhën italiane…

Ju mbetet ndonjë peng nga Apolonia?

Po, fakti që ma privuan të drejtën për të treguar vlerat e mia në Superiore. Dhe tjetra, unë e kam respektuar në maksimum fanellën e Apolonisë, kam derdhur djersë për të, kam dhënë kontributin tim ndër vite dhe meritoja pak më tepër respekt nga klubi. Mënyrën se si më nxorën dhe larguan nga skuadra, jo për mua si Dejan, por për një futbollist që ka luajtur 7 sezone për këtë skuadër, është për të ardhur keq.

A keni oferta dhe cila do të jetë e ardhmja e Andonit?

Nuk më kanë munguar ofertat nga skuadra të Kategorisë së Parë, por edhe nga Superiorja. Jam duke i shqyrtuar dhe nuk dua të nxitohem. Më tepër jam i fokusuar te Superiorja, për të bërë atë që nuk munda dot të bëja me Apoloninë. Nuk e shoh të arsyeshme të përmend emrat e skuadrave që më kanë kontaktuar, përderisa ende nuk kemi një marrëveshje konkrete.

Çfarë mesazhi ka Andoni për skuadrën dhe lojtarët e Apolonisë?

U uroj shumë suksese. Janë djem shumë të mirë dhe i dua shumë. Uroj që të ecin sa më lart dhe të largohen sa më parë nga Apolonia. Atje në Fier, futbolli është vetëm biznes dhe nuk është lojë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"