STRATEGJIA/ Flamurtari nis “peshkimin” në Brazil, priten pesë 18-vjeçarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2022 | 10:13

STRATEGJIA/ Flamurtari nis “peshkimin” në Brazil, priten pesë 18-vjeçarë

Flamurtari në kërkim të përforcimeve. Është zyrtare tashmë, gjithçka u konfirmua edhe nga “Panorama Sport”. Vlonjatët “peshkojnë” në Brazil.

FLAMURTARI 1

Është vetë administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ai që konfirmon bisedimet. Klubi ka hyrë në bisedime me pesë lojtarë brazilianë. Ata janë nga 18 vjeç dhe shikohen si futbollistë me perspektivë dhe të së ardhmes.

“Jemi në bisedime me pesë lojtarë brazilianë. Janë në moshë të re, 18-vjeçarë. Do t’i sjellim në Vlorë në ditët në vazhdim. Do të jenë futbollistë që do t’i përkasin së ardhmes së klubit. Stafi teknik do t’i marrë në provë.

Nëse do të bindin, do të qëndrojmë dhe duke qenë të rinj në moshë, do t’i shërbejnë klubit për një periudhë të gjatë”, shprehet Idrizi. Gazeta mëson se pesë lojtarët nga Brazili që do të mbërrijnë në Vlorë janë mesfushorë dhe sulmues. Veç Brazilit, Flamurtari ka hedhur sytë edhe nga akademia.

Janë katër lojtarë vlonjatë që po shikohen nga trajneri Dritan Resuli. Bëhet fjalë për dy sulmues, një mesfushor dhe një qendërmbrojtës. Janë lojtarë që kanë dalë nga akademia vlonjate dhe që më parë kanë luajtur për ekipe të tjera.

Por, për qëndrimin apo jo të tyre do të vendos javën e ardhshme trajneri Dritan Resuli. Flamurtari kërkon të përforcohet për shkak se kampionati është i gjatë, si dhe t’u paraprijë dëmtimeve dhe asaj që mund të sjellë pandemia që po jetojmë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"