Strategjia e kuqe, Partizani të ndëshkon në… limit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2020 | 9:50

Strategjia e kuqe, Partizani të ndëshkon në… limit

Skuadra e Partizanit vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Teutës, takim i vlefshëm për javën e shtatë të Kategorisë Superiore. Seanca stërvitore është zhvilluar në kompleksin sportiv “Football Republic”, ku trajneri Daja ka pasur në dispozicion thuajse të gjithë grupin e lojtarëve.

Partizani festa

MUNGESA – I vetmi që ka munguar, ka qenë sulmuesi Brajan Braun, i cili vazhdon izolimin për shkak të infektimit me COVID-19. Pjesa tjetër e ekipit gëzon gjendje optimale dhe të gjithë lojtarët kanë kryer normalisht stërvitjen.

Asani u shpreh se nuk është ende në 100%-shin e tij, por edhe sulmuesi anësor, me kalimin e ditëve, po arrin në gjendje optimale. Madje, për 25-vjeçarin pati edhe minuta në derbin e së premtes kundër Tiranës. Edhe braziliani Melo është shumë pranë formës optimale dhe një tjetër alternativë për ta nisur takimin kundër Teutës si titullar.

DUELI – Takimi PartizaniTeuta do të luhet në “Elbasan Arena”, në orën 16:45. “Demat e kuq” vijnë si favoritë në këtë  sfidë, pasi aktualisht renditen në vendin e dytë, ndërsa Teuta në vendin e pestë, në kuotën e 8 pikëve.

Të dyja ekipet vijnë nga barazime, Partizani kundër Tiranës me rezultatin 0-0 e Teuta kundër Kastriotit me shifrat 1-1. Edhe takimi i fundit mes dy skuadrave, në javën e 34-t të sezonit të shkuar, u mbyll në barazim 0-0.

STRATEGJIA – Në gjashtë sfida të luajtura në kampionat, Partizani ka arritur të shënojë 10 gola dhe të pësojë vetëm 2. Një mbrojtje solide kanë treguar “demat”, ndërsa në sulm, të gjithë kanë treguar se mund të shënojnë.

Por, përveç takimit kundër Skënderbeut (4-0), ku shënimi i golave nuk ishte problem, të kuqtë nuk e nisin mirë sfidën. Në 15 minutat e para të takimeve, të besuarit e Dajës kanë shënuar vetëm 1 gol. Po ashtu, edhe mes minutave 15-30 dhe 30-45. Gjatë pjesëve të dyta, Partizani është më i qartë, kjo ndoshta edhe për shkak të udhëzimeve të Dajës në pushim.

Golat e Partizanit

Mes minutave 45- 60, Partizani ka shënuar 2 gola, ndërsa minutazhi më i volitshëm për të kuqtë është mes 60′-75′. Në këto 15 minuta, “demat” kanë shënuar 3 nga 10 golat e Superiores, ndërsa dy golat e tjerë janë shënuar në minutat 75′-90′. Teuta e ka të qartë se në cilat minuta Partizani është më i fortë. Sfida mes Partizanit dhe Teutës është e vetmja që do të luhet në orën 16:45. Katër sfidat e tjera të Superiores do të luhen tri orë më herët.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"