Strategjia e Interit në merkato, projektohen dy ëndrrat zikaltër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 11:14

Strategjia e Interit në merkato, projektohen dy ëndrrat zikaltër

Nëse merkatoja e janarit do të jetë ajo e okazioneve, verën e ardhshme do të tentohet hapi i vërtetë cilësor. Interi duhet të afrojë së paku dy kampionë për të ngushtuar diferencën akoma më shumë me Juventusin dhe të konsolidojë vendin si rivalin kryesor për titull. 

federiko kieza

Në merkaton e parë të epokës “Konte”, administratori i deleguar Marota kishte nënvizuar një investim për të rikthyer Interin menjëherë konkurrues. Verën e ardhshme, pra, pritet që ekipi të jetë një shkallë më sipër, me afrimin e dy emrave të mëdhenj. Dhe në listat e drejtuesve interistë janë shënuar elementë të rëndësishëm: objektivi i deklaruar është Federiko Kieza. Ëndrra, asnjëherë e fshehur, Kristian Eriksen, të cilit i skadon kontrata me Totenhemin.

ËNDRRA DHE PLANI B 

Kohët e fundit Interi ka synuar me vëmendje të madhe parametrat zero. Në 2018-ën u mor Stefan De Vraj, i ndjekur një vit më pas nga Diego Godin. Për verën e ardhshme Interi ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës mes Eriksenit dhe Totenhemit. Mbi mesfushorin danez ka pasur një interesim të Realit të Madridit, kurrë të shndërruar në negociatë, ndërkohë që drejt fundit të merkatos së kaluar Mançester Junajtid nisi sulmin e parë, të pakonkretizuar.

Eriksen.Tottenham.2020.serio.750x450

Në janar edhe “Djajtë e kuq” flitet se do ta ritentojnë, por në rast se bisedimet mbeten të tilla, sipas së përditshmes “La Gazzetta dello Sport”, Interi do të studiojë ofertën e duhur për të bindur Eriksenin të zgjedhë pistën italiane. Çdo ëndërr përmban gjithmonë edhe një plan B: Marota ka piketuar Nandezin e Kaljarit, klub të cilit mund t’i interesojë edhe blerja e Naingolanit (momentalisht i huazuar).

“ANKAND” 

Më pas, të gjitha forcat do të përqendrohen te Federiko Kieza, me të cilin parashikohet një “ankand” me Juventusin. Bardhezinjtë verën e kaluar kishin marrë miratimin e lojtarit dhe një akord me babain Enriko, më pas ndryshimi i pronësisë dhe bashkimi me Roko Komison ndryshuan situatën. Presidenti i ri ka bindur lojtarin të qëndrojë së paku një vit tjetër, me premtimin se do të vlerësohen sërish ofertat e verës 2020. Ndërkohë, do të konsiderohet baza e fillimit të “ankandit” (do të nisë nga 60 milionë euro) dhe duhet të mposhtet konkurrenca e Juves.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"