“Stonojmë ndaj rivalëve”, kapiteni i Apolonisë nuk fshihet dhe tregon pikët e dobëta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 23:14

“Stonojmë ndaj rivalëve”, kapiteni i Apolonisë nuk fshihet dhe tregon pikët e dobëta

Çdo skuadër ka një bërthamë lojtarësh, një bosht rreth të cilit ndërtohet formacioni. Normalisht, grupi ka edhe një lider në fushë, që zakonisht është kapiteni. Edhe Apolonia e ka “zemberekun” e vet, kapitenin Taulant Hysenshahaj, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” kalon në “filtër” ecurinë e deritanishme dhe pritshmëritë e skuadrës fierake. 

Apolonia2

Hysenshahaj, si e vlerësoni ecurinë e skuadrës gjatë këtyre 12 javëve?

Ka qenë një garë e fortë, një kampionat që ka sjellë jo pak surpriza. Apolonia mendoj se është atje ku duhet, jo shumë larg vendit të parë, pasi 3 pikë janë të rikuperueshme. Deri tani kemi bërë jo shumë mirë mbase, por mendoj se kemi bërë mirë. Mund të bëhej më tepër? Po, patjetër. E kemi treguar në fushë se mund të arrinim shumë më tepër. Nuk kemi mundur të marrim atë që duhej në ndeshje përcaktuese.

 Ku mendoni se ka gabuar Apolonia gjatë këtyre 12 javëve? 

Kemi gabuar kryesisht me rivalët, Lushnjën, Pogradecin dhe Besën. Ndoshta kemi vuajtur pak trysninë e rezultateve karshi kundërshtarëve të tillë. Edhe pse jemi ballafaquar denjësisht me të tre, në momente vendimtare ka vendosur sa trysnia e skuadrës së re dhe përvoja e rivalëve. Pa dashur të justifikohem, me Lushnjën fazën e parë luajtëm në Ballsh, me Besën në kompleksin e akademisë, ndërsa me Pogradecin në transfertë dhe humbëm me një penallti të dyshimtë në fund.

 Apolonia ka pasur probleme finalizimi, ndërsa në ndeshjet e fundit është përmirësuar ndjeshëm, duke u bërë ekipi që shënon më shumë. Çfarë ka ndodhur?

Në 7 javët e para kishim shënuar vetëm 8 gola, ndërsa në 5 javët e fundit 16 gola. Janë disa faktorë që ndikojnë, i pari konsolidimi i grupit. Edhe rikthimi në stadium ndikon, sepse në atë fushë shfaqim vlerat tona reale.

Çfarë i mungon kësaj Apolonie?

Na mungon eksperienca. E them me plot gojën, duke parë që jemi ekipi më i ri në moshë i kampionatit. Në ndeshje specifike ne stonojmë. Dihet që ndeshje të tilla vendosen nga episodet dhe me lojtarë përvoje, siç kanë Lushnja e Pogradeci.

hysenshahaj

Në të njëjtën periudhë, vjet Apolonia kishte në përbërje shumë më tepër lojtarë përvoje, por shënoi 16 gola më pak e kishte 7 pikë më pak… 

Dua të shprehem vetëm për ekipin sivjet, ku pjesa dërrmuese e formacionit bazë vërtet janë të rinj në moshë, por kanë luajtur edhe vjet bashkë dhe janë rritur. Pa mohuar respektin maksimal për çdo trajner të mëparshëm, sinqerisht e them se profesor Mërgjyshi, me sa duket, ka gjetur “çelësin” e duhur për ta motivuar këtë skuadër me shumë më pak përvojë se vitin e kaluar.

Kapiten, besoni se kjo skuadër mund të ngjitet në Superiore? 

Pse jo? Rezultatet i kemi, jemi 3 pikë larg kreut. Na duhen 3-4 përforcime, sepse kemi lojtarë që luajnë jashtë rolit, përfshirë edhe mua. Le të flasim pas janarit, kur të shohim përforcimet dhe organikën e skuadrës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"