Stoli nuk e “ngroh”, Hallaçi ka dilema në mbrojtje para Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 10:02

Stoli nuk e “ngroh”, Hallaçi ka dilema në mbrojtje para Erzenit

Kukësi ndodhet në një hall jo të vogël para sfidës së nesërme me Erzenin në “Kukës Arena”. Pika në Ballsh, edhe pse ka pasur një vlerë jo të vogël sa i përket klasifikimit dhe situatës me mbijetesën, ka lënë të sakatuar verilindorët për përballjen e radhës.

Hallaci Kukesi

Problemet më të mëdha shfaqen në qendër të mbrojtjes, aty ku për Hallaçin mungojnë alternativat në këtë fundsezoni. Në sfidën me Bylisin, mbrojtësi Franko Lamçe la fushën i dëmtuar në minutën e 41-të dhe mbetet për t’u parë shkalla e dëmtimit të 24- vjeçarit. Sikur të mos mjaftonte kjo mungesë, Kukësi do të duhet të bëjë edhe pa qendërmbrojtësin tjetër, Ebert da Silva, i cili mori një karton të verdhë, që i heq mundësinë për të qenë në fushë ndaj Erzenit. Një situatë e vështirë në momentin më kulminant të sezonit, ku verilindorëve nuk i lejohet as gabimi më i vogël.

ALTERNATIVAT – Problemi nuk ka të bëjë thjesht te mungesat me këta dy lojtarë, por tek alternativat që ka në dispozicion Hallaçi dhe stoli që nuk e “ngroh”. Aktualisht në përbërje të ekipit janë katër mbrojtës, Ndreca me Dragoshin që luajnë nga krahët, Bytyçi në qendër dhe Ilieski. Tre të parët janë në rregull me minutat dhe paraqitjet e tyre, pasi aktivizohen rregullisht. Pikërisht ngërçi qëndron tek maqedonasi, i cili edhe pse këtë sezon erdhi si një lojtar që mund t’iu bënte punë Kukësit në prapavijë, përfundoi në stol dhe prej muajsh nuk po preferohet më. Në 17 takimet e fundit, përfshirë kampionatin dhe dy ndeshjet e Kupës me Teutën, 26-vjeçari ka luajtur vetëm 73 minuta, edhe ato si zëvendësues në vetëm dy përballje. Një kohë e gjatë pa zbritur në fushë, pasi për herë të fundit në një ndeshje kampionati që ka luajtur si titullar dhe ka qëndruar në fushë për 90 minuta ka qenë pikërisht ndaj Erzenit më 22 janar të këtij viti. Që nga ajo periudhë, Ilieski “ngrohu” stolin, teksa Kukësi u mund në shifrat 0 me 2 në shtëpi nga shijakasit. Si për ironi, maqedonasi është alternativa e vetme për të luajtur në qendër me Bytyçin, pikërisht në përballjen me të rëndësishme të sezonit.

LËVIZJET – Në një situatë të tillë, Hallaçi është duke menduar për ekipin që do të hedhë në fushë ditën e nesërme, me mundësitë që i ka të limituara. T’i besojë Ilieskit që ka kohë pa luajtur, të luajë vetëm me tre mbrojtës të deklaruar apo të spostojë një tjetër lojtar në këtë repart. Ka edhe një mundësi tjetër, të shpresojë që Lamçe të jetë gati dhe dëmtimi të ketë kaluar, përndryshe situata do të jetë e vështirë. Këto pak kohë që ka pasur në dispozicion për këtë ndeshje, tekniku i ka provuar të gjitha opsionet në stërvitje, por mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"