Stoli i Mout dridhet përsëri, shkarkohet po e mundi Juvja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 9:53

Stoli i Mout dridhet përsëri, shkarkohet po e mundi Juvja

Rikthehen hijet e dyshimit mbi Zhoze Murinjon. Një humbje ndaj Juventusit në “Allianz Stadium” të mërkurën dhe sipas “Mirror”, portugezi është i shkarkuar.

murinjio

Tekniku i “djajve” e forcoi stolin e tij me paraqitjet e javëve të fundit, por sipas tabloidit, 55- vjeçari është vënë përsëri në dyshim nga drejtuesit dhe nëse kampionët e Italisë do ta mundin përsëri skuadrën e tij në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të fazës së grupeve, ashtu siç bënë dy javë më parë në sfidën e vajtjes në “Old Trafford” (vendosi goli i Paulo Dibalës), atëherë Mou do të shkarkohet.

Një humbje këtë javë do ta vinte seriozisht në dyshim objektivin e anglezëve për t’u kualifikuar në 1/8-at dhe çmimi për Zhoze Murinjon mund të jetë stoli i tij në “Teatrin e Ëndrrave”.

murinjo3

LUKAKU – Lajme të mira nga fusha, më pak nga infermieria. Mançester Junajtid nuk mposhtet në Premier Ligë prej më shumë se një muaji dhe duket se ka gjetur më në fund formën me fitoret ndaj Evertonit dhe Bornmëthit (të dyja 2-1), të cilat e kanë spostuar skuadrën në renditje.

Lukaku Murinjo

Tani është momenti i Europës dhe përballja më e fortë e tyre në grup kundër Juventusit, e vlefshme për Grupin H. Në Torino do duhet një ndeshje e madhe nga Pogba me shokë për të mos kompromentuar kualifikimin, por anglezët mund të jenë të detyruar të luajnë sërish pa Lukakun, i cili mungoi ndaj Bornmëthit prej një problemi muskulor dhe është në dyshim për sfidën e së mërkurës mbrëma.

murinjo

“Nuk e di nëse mund të riaftësohet, duhet të presim deri të hënën. Ka nevojë për këto ditë pushimi për t’u riaftësuar pas problemit muskulor që pësoi në stërvitje”, tha Murinjo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"