Stojkov: Ja pse zgjodha Korçën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2015 | 10:11

Stojkov: Ja pse zgjodha Korçën

stojkovAco Stojkov, futbollisti më i ri i Skënderbeut ka dhënë për herë të parë intervistën e tij për ndonjë media shqiptare. I emocionuar dhe mjaft besimplotë se do të shndërrohet në njeriun gol të Skënderbeut, Stojkov në një intervistë për “Panorama Sport” tregon faktin se pse zgjodhi bardhekuqtë duke u transferuar në Korçë, teksa flet edhe për kujtimet e tij më të bukura në radhët e Interit, por edhe kontakti i parë me “bishën” Karles Pyjol. “Vitin e kaluar kam pasur oferta nga klube të tjera shqiptare, të cilat nuk mund t’i them, por nuk kam pranuar, pasi ndikim ka pasur dëshira ime, por edhe akordi financiar. Ndërsa këtë merkato vetëm Skënderbeu ishte ekipi që më kërkoi dhe u binda të transferohem këtu te ky klub”, shprehet ndër të tjera Stojkov. “Tek Interi kam qëndruar vetëm një vit dhe më pas gjithmonë kam qenë i huazuar në skuadra të tjera për interes të Interit. Besoj se ky klub ka qenë një ëndërr për mua e bërë realitet”, vazhdon të tregojë lojtari maqedonas në intervistën e tij për gazetën. “Pyjol pa diskutim që është mbrojtësi më i mirë që jam përballur ndonjëherë. Ishte lojtari më i fortë që kam parë ndonjëherë. Shumë e vështirë ta kaloje. Kam luajtur kundër tij në një miqësore mes Maqedonisë dhe Spanjës. Ishte mbrojtësi më i mirë për mendimin tim. Kishte një fizik shumë të fortë. Ishte një ‘bishë’ e vërtetë”.
Aco, keni pasur shumë oferta nga klubet shqiptare, por zgjodhët vetëm Skënderbeun. Pse kjo zgjedhje?
Vitin e kaluar kam pasur oferta nga klube të tjera shqiptare, të cilat nuk mund t’i them, por nuk kam pranuar, pasi ndikim ka pasur dëshira ime, por edhe akordi financiar. Ndërsa këtë merkato vetëm Skënderbeu ishte ekipi që më kërkoi dhe u binda të transferohem këtu te ky klub.
Çfarë ju bindi të pranonit ofertën e korçarëve?
Kam parë që në vitet e fundit kanë qenë kampionë të padiskutueshëm të Shqipërisë. E di që janë një ekip mjaft i mirë dhe shumë mirë i organizuar, pothuajse si një klub europian. Këto më bindën pa dyshim që të pranoj ofertën e tyre.
Çfarë dini për kampionatin shqiptar të futbollit?
Jam informuar edhe për këtë. E di që njerëzit e duan futbollin në këtë vend. Gjithashtu, më kanë thënë që ndeshjet mes ekipeve kryesuese të kampionatit janë një spektakël më vete. Tani duhet të luaj fillimisht për të thënë ndryshimet mes kampionateve të tjera.
Keni ardhur prej dy ditësh. Si ju janë dukur shokët e ekipit në takimin e parë?
Jemi përshëndetur…, por nuk i njoh shumë mirë megjithëse në pamje të parë kemi lënë përshtypje të mira për njëritjetrin. Duket që janë djem të mirë dhe profesionistë në radhë të parë.
Në të kaluarën, keni ndryshuar shumë ekipe, por më i njohuri pa dyshim ka qenë Interi. Çfarë kujtimesh ju vijnë në mend nga kjo eksperiencë?
Po, Interi për mua ka qenë fillimi i karrierës si futbollist. Janë gjithçka kujtime të bukura për mua, pasi në vitin tim të parë, kemi fituar kampionatin “Primavera” me ekipin e të rinjve të Interit. Më pas, kemi fituar edhe “Viarexho Cup” që është kupa më e njohur në botë për këtë kategori.
Keni qëndruar gjatë tek Interi, por nuk keni zhvilluar asnjë ndeshje. Përse ndodhi kjo?
Jo, tek Interi kam qëndruar vetëm një vit dhe më pas gjithmonë kam qenë i huazuar në skuadra të tjera për interes të Interit. Besoj se ky klub ka qenë një ëndërr për mua e bërë realitet.
Miku juaj më i mirë kur luanit tek Interi ka qenë…
Goran Pandev. Një futbollist shumë i mirë që bënte diferencën. Ai ka qenë miku im tek Interi kjo edhe për vetë faktin se të dy jemi maqedonas. Një lojtar që për aq kohë sa kemi qenë në ekip, ishte shumë i talentuar dhe një e ardhme e sigurt e ekipit.
Mendoni se ngjani më të?
Jo, ai është ndryshe, shumë ndryshe. E thashë, Pandev është tjetër nivel.
Kush ka qenë mbrojtësi më i fortë që keni pasur ndonjëherë përballë?
Pyjol pa diskutim. Ishte lojtari më i fortë që kam parë ndonjëherë. Shumë e vështirë ta kaloje. Kam luajtur kundër tij në një miqësore mes Maqedonisë dhe Spanjës. Ishte mbrojtësi më i mirë për mendimin tim. Kishte një fizik shumë të fortë. Ishte një “bishë” e vërtetë.
Tani jeni te Skënderbeu. Çfarë premtoni të jepni për këtë ekip?
Shumë, vërtet shumë. Jam i kënaqur që tifozët presin shumë nga unë. Nuk dua të bëj premtime tani për tani pasi do të shikojmë me kalimin e kohës. Por, mund të them se erdha këtu për të lënë shenjë në futbollin shqiptar dhe Skënderbeu ishte mundësia më e mirë për mua.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"