Stili “Daja”, kur krisjet e mëdha janë në modë/ Nga Asani te Melo e “Buba”, pse Iliri u përplas me më të mirët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2021 | 22:03

Stili “Daja”, kur krisjet e mëdha janë në modë/ Nga Asani te Melo e “Buba”, pse Iliri u përplas me më të mirët

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, është padiskutim një prej më të suksesshmëve në dy dekadat e fundit në futbollin shqiptar. Ka bërë mirë kudo ku ka drejtuar, madje edhe te Tirana ku mund t’i besohej më shumë kohë, edhe te Flamurtari i 1 mijë e 1 problemeve. Edhe te Partizani, mes merkatos së bllokuar dhe pezullimit të Çinarit, bëri një punë të shkëlqyer, duke i çuar “demat” deri në finalen e titullit kampion.

Ilir Daja

DIPLOMACIA – Edhe pse shumë i suksesshëm në ekipet ku ka drejtuar, diplomacia nuk është arma e tij më e fortë… Daja punon pa emra, por me një filozofi të qartë loje. Kjo gjë, është vërtetuar edhe te Partizani. Fillimisht, ishte Jasir Asani ai që kishte probleme me trajnerin 54- vjeçar, pasi Daja i kërkonte të ishte pjesë e manovrës dhe të sakrifikonte për ekipin. Asani u la edhe në stol në fillim të sezonit, ndërsa më pas reflektoi, uli kokën dhe punoi për skuadrën.

ILIR DAJA

Daja filloi ta aktivizojë Asanin dhe i dha rol të rëndësishëm titullari, duke provuar që nuk ka asgjë personale me lojtarët. Më vonë, ishte Kordeiro Melo ai që kishte pakënaqësi ndaj trajnerit të Partizanit. Edhe pse me shumë cilësi dhe me talent, braziliani nuk bënte maksimumin, me Dajën që e la në stol. Ndryshe nga Asani, Melo nuk reflektoi dhe kjo gjë, solli divorcin e tij të parakohshëm me klubin e kuq. Më pas, Ferhan Hasani…

“BUBA” –Karriera e Ferhan Hasanit flet vetë, një lojtar që ka luajtur në Bundesligën gjermane, ka shkëlqyer te Shkëndija e Tetovës dhe madje ka luajtur edhe në Europianin e këtij viti. Një lojtar që ka karakter, është i rëndësishëm për skuadrën dhe është një lider, si në dhomat e zhveshjes, ashtu edhe në fushën e lojës. Pas divorcit me Partizanin, Hasani shfaqi hapur kritika për Ilir Dajën, duke pohuar për “Panorama Sport” se shkaku i vetëm i largimit të tij nga klubi i kuq, ishte pikërisht trajneri 54-vjeçar.

Hasani

E theksuam që Daja nuk ka gjë personale me lojtarët e tij, por me Hasanin, ndoshta duhej më shumë diplomaci. Ndoshta në rastin e fantazistit nuk duhet të ishte kaq shumë “gjeneral”, për hir të harmonisë në ekip. Por Daja nuk lëshon pe dhe ky është një risk që e merr gjithmonë përsipër. Rezultatet deri më tani në karrierën e tij i kanë dhënë të drejtë, por mbetet një risk që e ndjek gjithmonë nga pas. Nëse zgjedh që të mos aktivizojë lojtarët më me emër dhe rezultatet mungojnë, atëherë ai është i pari që do të “shigjetohet”.

MANOVRA – Kjo është kryefjala e trajnerit Ilir Daja. Kur trajneri 54-vjeçar merr përsipër ndërtimin e një ekipi, e ka të qartë fizionominë e tij të lojës dhe vështirë të ndryshojë nga 11-shja startuese ndeshje pas ndeshje. Kjo gjë, u konfirmua edhe nga afrimet e janarit.

Përveç Muratajt dhe Zhuniorit, që ishin të rëndësishëm për Dajën në gjysmën e dytë të sezonit, afrimet e tjera vuajtën. Mëllugja u largua para kohe, ndërsa Hasani dhe Dominguez ishin sa për “numër”.

Kjo pasi Daja e kishte ndërtuar manovrën e tij të lojës me lojtarët që kishte në dispozicion që nga 10 gushti i vitit të shkuar, kur mori drejtimin e skuadrës së Partizanit.

Ilir Daja Partizani

MERITË E KLUBIT – Në rastin e Ferhan Hasanit, padiskutim që meritë të madhe ka edhe klubi i Partizanit, në mënyrën si e menaxhoi si situatë, si dhe për faktin që i dha të drejtë trajnerit.

Edhe pse ishte një investim i madh për të sjellë “Bubën” në kryeqytet, drejtuesit e kuq i dolën në krah trajnerit dhe vendosën të ndërprisnin bashkëpunimin me mesfushorin. Në shumë klube të tjera, gjërat mund të zgjidheshin ndryshe, siç ka ndodhur shpeshherë që presidenti t’i thotë trajnerit që të aktivizojë lojtarë të caktuar, pasi janë investime të mëdha.

EPOKA DEMI – Ilir Daja është trajneri i vetëm që në epokën Demi, do të nisë sezonin e dytë radhazi në krye të Partizanit. Presidenti i “demave” ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve të fundit se e nis sezonin me trajner të ri, por me Dajën, gjërat janë ndryshe, duke i dhënë besim të plotë.

Madje, Demi shpeshherë në daljet e tij publike deklaron se së bashku me Dajën, do të dalin në pension së bashku te Partizani. Kështu që, Daja mbështetjen e klubit e ka, si dhe është gati të nisë një cikël.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"