Stërvitje “online”, portieri i Teutës gjen zgjidhjen ideale me trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2020 | 19:51

Stërvitje “online”, portieri i Teutës gjen zgjidhjen ideale me trajnerin

Porta është në një pozicion specifik dhe stërvitja e “gardianëve” natyrisht që nuk mund të jetë njësoj si ajo e futbollistëve që luajnë në role të tjera në fushë. Nëse kjo periudhë pauze për mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit është vërtet shumë problematike për të mbajtur formën me stërvitje në kushte shtëpie, kjo ndryshon me portierët. Duket se këta të fundit e kanë më të lehtë të përshtaten edhe ambjente që nuk kanë lidhje me fushën. Portieri i Teutës, Stivi Frashëri, ka gjetur një zgjidhje origjinale me trajnerin e tij, Bledar Rizvani. Në një intervistë për “Panorama Sport”, korçari i portës durrsake tregon se komunikon vazhdimisht me Rizvanin dhe kryen përgatitje… virtualisht.

stivi frasheri

Portieri i Teutës Stivi Frashëri duke u stërvitur në shtëpinë e tij 

Stivi, si po e përballoni këtë situatë?

Po mundohem rreptësisht të zbatoj sa më shumë rregullat që janë vendosur. Kjo nuk është lojë, por sfidë jete dhe duhet sa më shumë kujdes.

Duke qenë në kushte shtëpie, a jeni në gjendje të bëni sadopak stërvitje?

Edhe pse profesioni momentalisht vihet në plan të dytë, unë po mundohem të ushtroj në kushte shtëpie aq sa kam mundësi për të ruajtur formën optimale. E kam gjetur një zgjidhje.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Frasheri

Dua të nënvizoj faktin se portieri është një pozicion që ka një stërvitje shumë specifike. Por, unë gjej rastin të falenderoj profesor Bledi Rizvanin për përkushtimin që ka edhe në këto ditë të vështira. Ai gjen mënyra nga më të ndryshmet që të ruajmë formën edhe në kushte shtëpie. Komunikojmë vazhdimisht për ta bërë sa më mirë stërvitjen. E rëndësishme në këtë moment është që të përpiqem të ruaj gjendjen time sa më shumë të jetë e mundur. Stërvitja në kushte shtëpie normalisht është pak monotone, sepse ke pak opsione për të arritur atë që do. Gjithsesi, bashkë me profesorin, bëjmë programe të ndryshme çdo ditë.

Ky pushim i detyruar e ka edhe një të mirë, pasi je më pranë familjes…

Normalisht që po, sepse janë njerëzit e vetëm ku mund të mbështetemi dhe shpresoj që t’i kemi të gjithë mirë. Gjithashtu uroj që jo vetëm shqiptarët, por gjithë njerëzimi ta kalojë sa më lehtë këtë virus.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"