Stërvitje nga palestra në fushë, nuk ka pushim për Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2021 | 20:00

Stërvitje nga palestra në fushë, nuk ka pushim për Apoloninë

Apolonia nuk po pushon. Edhe pse shumica e ekipeve janë shpërndarë, në Fier nuk po ndodh kështu. Skuadra ka vazhduar stërvitjen dhe me ritëm të lartë. Seanca e djeshme nisi në palestër dhe më pas lojtarët u zhvendosën në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

Apolonia

Grupi nuk ka qenë i plotë. Disa nga lojtarët mungonin dhe disa të tjerë nuk ishin të pranishëm për arsye të ndryshme. Enes Papaj i është nënshtruar operacionit pas këputjes së ligamentit në ndeshjen e parë të Kupës me Flamurtarin. Ky dëmtim i rëndë e la mesfushorin shkodran prej shumë javësh jashtë fushës së blertë dhe rikthimi i tij pritet të jetë ende larg, pasi faza postoperacion ka rëndësinë e vet.

Gjithashtu, mbrojtësi Eljo Gjata është stërvitur individualisht, pas asaj goditjeje të fortë që mori në gju. Rikthimi i tij në fushën e blertë mund të jetë më i afërt dhe faza e dytë e kampionatit mund ta gjejë në pozicionin e tij të zakonshëm si mbrojtës i majtë.

Gjatë javëve të fundit, probleme fizike kanë pasur edhe disa lojtarë të tjerë, por këto shqetësime janë cilësuar si normale pas disa javëve të ngjeshura në kampionat. Kalendari ka qenë i pamëshirshëm, pasi ndeshjet e fundit janë luajtur shumë afër njëra-tjetrës.

Fillimisht probleme fizike kanë shfaqur mesfushorët Skerdilajd Levendi, Stefano Omeri dhe Erisildo Smaçi. Këta të fundit pritet të jenë gati dhe në formë optimale për fazën e dytë të kampionatit.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"