Stërvitje në Kavajë, Alban Bushi e nis me “dorë të hekurt” te U-21

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2017 | 9:58

Stërvitje në Kavajë, Alban Bushi e nis me “dorë të hekurt” te U-21

Kombëtarja Shpresa ka startuar dje përgatitjet në kuadër të dy miqësoreve që do të luajë kundër Moldavisë në datat 23 dhe 27 mars. Seanca e parë u zhvillua në stadiumin “Besa” të Kavajës. Në dispozicion të trajnerit Alban Bushi ishin prezentë 16 futbollistë, mes tyre dy portierë. Pjesa tjetër e grupit është plotësuar mbrëmë vonë, pasi shumë prej lojtarëve luajnë jashtë Shqipërisë.

U-21 stervitje 1

Stërvitja e djeshme ishte nën masa sigurie të larta, teksa nuk u lejua askush të futej brenda ambienteve të stadiumit “Besa”. Nga stafi i Shpresës, trajneri i portierëve, Alfred Osmani, u rikthye në stadiumin kur dikur kishte veshur fanellën verdhezi të Besës. Ndërsa lojtarët nuk kishin pasur mundësi asnjëri të luante më parë në këtë impiant, kur dihet që Besa ka hyrë në vitin e katërt që militon në Kategorinë e Parë.

DISIPLINA

Me të shkelur në tapetin e gjelbër, nuk munguan komplimentet për gjendjen e terrenit, që të lejonte një stërvitje në kushte komode. Pas nxehmjes së zakonshme, trajneri Alban Bushi preferoi të zhvillonte një lojë mes grupit. Ajo që binte në sy menjëherë ishte dëshira dhe grinta e lojtarëve për të demonstruar se sa vlejnë para syve të Bushit. Trajneri u pa shpesh të motivonte, korrigjonte dhe të kërkonte nga lojtarët që idetë e tij të zbatoheshin, edhe pse në miqësore mes grupit.

U-21 stervitje 2

Ajo që bëri përshtypje ishte fakti se, gjatë gjithë kësaj seance, nuk dëgjoheshin zërat e lojtarëve, por vetëm i trajnerit. Me një korrektësi dhe seriozitet vërtet për t’u vlerësuar, Bushi kërkonte të transmetonte te futbollistët se duhet të ishin shumë të përqendruar në stërvitje. Seanca, që nisi në orën 16:30, përfundoi në orën 18:00, me stafin teknik kuqezi që doli i kënaqur nga stadiumi.

DEKLARATA

Alban Bushi foli për “Panorama Sport” menjëherë pas stërvitjes, duke theksuar se dy miqësoret me Moldavinë do t’i shërbejnë shumë.

Bushi interviste

“Siç e dini, kam ftuar mjaft futbollistë të rinj, të cilët vijnë për herë të parë me U-21. Një pjesë e tyre luajnë jashtë Shqipërisë dhe linjat e avionëve kanë qenë në orare të ndryshme dhe nuk kanë pasur mundësi të jenë në këtë seancë të parë. Unë jam në kontakte me të gjithë dhe sot (dje) në mbrëmje do të plotësohet i gjithë grupi.

Kam grumbulluar disa lojtarë nga Superiorja, pasi kam ndjekur mjaft nga ndeshjet e kampionatit. Kam ftuar edhe 19-vjeçarë me idenë që të qëndrojnë të paktën dy vite bashkë tek U-21, pasi vazhdimësia e të luajturit ndikon shumë te grupi. Përpara kemi dy miqësoret me Moldavinë, që do të na vlejnë shumë. Objektivi dhe dëshira ime mbetet t’i fitoj të dyja. Miqësoret do të na vlejnë në evidentimin e lojës së gjithsecilit dhe konsolidimin e grupit”, ka thënë trajneri kuqezi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"