Stërvitje me dy seanca, mungesa e Çanit bën me “dhimbje koke” drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 15:15

Stërvitje me dy seanca, mungesa e Çanit bën me “dhimbje koke” drejtuesit

Partizani i trajnerit Mark Iuliano ka vendosur që përgatitjet intensive për sezonin e ri t’i zhvillojë në Kashia të Italisë. Që nga 10 gushti të kuqtë kanë marrë ngarkesë të lartë, ku pas “shtrydhjes” së futbollistëve me ngarkesa të larta fizike, tani përgatitjet janë orientuar drejt teknikës dhe taktikës.

Partizani Iuliano

Edhe kjo javë stërvitore është parashikuar të vijojë me dy seanca në ditë, përveç rasteve kur kanë ndeshje miqësore. Dje ekipi ka vijuar me dy seanca, por ajo që i ka shqetësuar të kuqtë që nga akomodimi në Itali, dëmtimi i Egdar Çanit, mbetet ende real. Blerja më e shtrenjtë e merkatos së verës në futbollin shqiptar vijon të mos jetë i gatshëm për trajnerin Iuliano.

Iuliano dhe Cani

Ndonëse klubi nuk e ka bërë dramatike mungesën e sulmuesit të Kombëtares, shqetësimi mbetet real, pasi starti i sezonit të ri po afron, ndërsa Çani ende nuk po e merr ngarkesën me grupin. Është thënë se trajneri Iuliano po aplikon një fazë eksperimentale te Partizani, ku po provon disa skema dhe rreshtime të ekipit, në mënyrë që në fillim të kampionatit ta ketë modulin e duhur.

Mungesa e Çanit në stërvitje, pasi ai vijon i diferencuar, do të ketë ndikim te skemat e stafit teknik, pasi faza përgatitore po vjen drejt fundit.

28-vjeçari është piketuar si pikë referuese e Partizanit të sezonit të ri, por nuk dihet se kur sulmuesi do të jetë gati për skuadrën. Sido që të jetë faza e rikuperimit të Çanit, një gjë është e sigurt: lojtari nuk do ta ketë përgatitjen e duhur në fillim të sezonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"