Stërvitja e parë, Mema e nis me një fjalim para ekipit: Djem, do ta ringremë Tiranën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 9:46

Stërvitja e parë, Mema e nis me një fjalim para ekipit: Djem, do ta ringremë Tiranën!

Nuk kaloi më shumë se katër orë nga njoftimi i largimit të Ze Marias nga Tirana dhe trajneri i ri, Ardian Mema, nisi stërvitjen te bardheblutë. Ish-futbollisti i bardhebluve dhe një nga pinjollët e familjes Mema nuk humbi asnjë minutë kohë. Edhe pse nuk ka mbyllur detajet e kontratës, trajneri ka nisur punën. Në fakt, stërvitja ishte planifikuar që të niste në orën 15:00 me planin e Ze Marias, por është shtyrë në orën 16:00, pasi Mema donte të ishte në stadium.

ardian mema

Ai që e priti ishte një mik i vjetër i Memës, drejtori Devi Muka. Menjëherë lojtarët janë futur në dhomat e zhveshjes, si dhe janë prezantuar me trajnerin e ri të bardhebluve. Ka qenë Mema ai që ka folur në fillim, duke i falënderuar të gjithë për pritjen e ngrohtë. Më pas, Mema mësohet t’u ketë thënë lojtarëve se skuadra duhet të dalë nga ky ngërç psikologjik dhe kjo është pika e parë e problemit.

Gjithashtu, Mema është shprehur para futbollistëve që pret ngjitjen e ekipit. Sipas tij, pak nga pak ekipi duhet të bëjë përpara në renditjen e përgjithshme. Skuadra duhet të fitojë ndeshje pas ndeshjeje, të dalë nga fundi i renditjes dhe më pas të mendojë, pse jo, për Europën dhe pak më shumë. Lojtarët kanë dëgjuar me vëmendje dhe grupi është përqafuar, siç bëjnë të gjitha skuadrat, për t’i dhënë zemër ekipit. Pas përqafimit është dëgjuar një duartrokitje e gjatë e lojtarëve dhe skuadra ka dalë menjëherë në fushën e stërvitjes dhe ka nisur punën.

Stërvitja – Nuk ka qëndruar asnjë sekondë pa punë Mema, teksa menjëherë ai ka nisur përgatitjet. Stërvitje ndryshe nga Ze Maria, por edhe shumë pushim. Në shumë momente Mema ndalte lojën dhe i shpjegonte skuadrës detyrat taktike. Nuk munguan as diskutimet kokë më kokë, me Memën që i shpjegonte secilit më të mirën e mundshme.

Kontrata – Në fund të stërvitjes, Ardian Mema nuk pranoi të fliste për median, pasi ai duhet të takonte presidentin Refik Halili. Takimi është bërë dje në mbrëmje, ku palët kanë vendosur edhe piketat për kontratën e re, e cila do të bëhet publike sot paradite, gjithmonë sipas parashikime. Ndonëse Tirana nuk e ka zyrtarizuar, Ardian Mema është me të gjitha përgjegjësitë trajneri i ri i bardhebluve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"