Stërvitja e Lushnjës starton të hënën, Musaku: Me 30 mijë lekë rrogë në muaj është turp

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2022 | 15:19

Stërvitja e Lushnjës starton të hënën, Musaku: Me 30 mijë lekë rrogë në muaj është turp

Nuk ka më vend për dilema, Lushnja të hënën do të nisë zyrtarisht fazën përgatitore. Disa nga futbollistët që mbyllën sezonin e fundit me verdhejeshilët janë lajmëruar tashmë, por se kush ende nuk dihet. Ata duhet të jenë prezent gjatë pasdites së 18 korrikut në fushën sportive të Plugut, për të startuar punën me trajnerin Klodian Duro.

Musaku

Janë 7 javë në dispozicion për t’u stërvitur dhe ndërtuar ekipin, që 3 shtatori t’i gjejë gati për Kategorinë e Parë. Kohë është e mjaftueshme, por interes të madh ka për të parë organikën.

Nga kontingjenti i vjetshëm janë larguar deri më tani 10 lojtarë, por shumë të tjerë janë në dyshim. Është e padiskutueshme që ekipi do të ketë ndryshime të mëdha, por vetëm të hënën do të mësohet më shumë. Konstituimi i skuadrës do të bëhet më vonë përmes kontratave 10-mujore, që lidh Bashkia e Lushnjës me 25 futbollistë, limiti i përcaktuar nga FSHF-ja.

MUSAKU – Dionis Musaku është gati që të firmosë edhe një tjetër vit me Lushnjën, që i bie të jetë i pesti radhazi. E megjithatë, pret kushte të tjera të kontratës. Nëse bëhet fjalë për pagë 300 mijë lekëshe (të vjetër), vështirë se do të qëndrojë dhe këtë e thotë troç për “Panorama Sport”.

Musaku2

Mbrojtësi që 10 vitet e fundit është shkëputur vetëm dy herë nga ekipi “mëmë”, sqaron se deri më tani askush nuk e ka telefonuar dhe logjikisht nuk mund të dalë në stërvitje më 18 korrik.

“Për momentin nuk më ka lajmëruar njeri dhe nuk do të dal në stërvitje. Kisha një njoftim për të hënën e kaluar dhe u anulua. Për këtë të hënë, nuk më ka thënë asnjë nga drejtuesit. Dëshira për të rinovuar me Lushnjën ka qenë gjithmonë, por duke parë kushtet e kontratës kam një lloj stepje… Sepse të luash futboll me 30 mijë lekë (të rinj) bruto është turp”, deklaroi mbrojtësi 26-vjeçar, që me shumë gjasa është drejt “divorcit” me lushnjarët.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"