“Stërvitem me ekipin e djemve, trajneri po hakmerret ndaj meje”, Levendi akuzon Kulen: Ja pse s’na grumbulloi në Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 12:49

“Stërvitem me ekipin e djemve, trajneri po hakmerret ndaj meje”, Levendi akuzon Kulen: Ja pse s’na grumbulloi në Kombëtare

Kombëtarja U-19 e futbollit të femrave, e drejtuar nga Maringlen Kule, do të marrë pjesë në raundin kualifikues për Kampionatin Europian, raund që do të zhvillohet në Portugali nga data 2 deri më 8 tetor. Në këtë fazë kualifikuese do të marrin pjesë katër skuadra: Gjermania, Portugalia si vend organizator, Azerbajxhani dhe Shqipëria.

Vanesa Levendi

Por, Shqipëria vjen në këto sfida pa kapitenen Vanesa Levendi dhe zv.kapitenen Ilarja Zarka, të dyja lojtare të Apolonisë. Mungesa e dy prej elementëve kryesorë të Kombëtares ka hapur shumë polemika, pasi Levenaj akuzon drejtpërdrejt trajnerin e Kombëtares U-19, Maringlen Kulen, por mosgrumbullimin në Kombëtare.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ajo shprehet: “Unë kam kërkuar largimin nga Apolonia në muajin qershor për arsye personale dhe familjare, pasi do të largohem nga Shqipëria.

Levendi Vanesa

Klubi nuk ma ka aprovuar këtë kërkesë, ashtu sikurse nuk ia ka aprovuar as zv.kapitenes Ilarja Zarka, pasi të dyja kemi kërkuar largimin”, thotë fillimisht Levenaj, e cila më pas tregon se kjo kërkesë është shkaku kryesor për përjashtimin nga Kombëtarja: “Maringlen Kule, trajneri aktual i Kombëtares U-19, na ka kërkuar që të vazhdojmë të stërvitemi me Apoloninë. Duke qenë se ne nuk e vazhduam stërvitjen dhe as fazën përgatitore me Apoloninë, por vijojmë të stërvitemi me një ekip djemsh, tani Kule nuk na grumbullon dhe thotë se jemi të pastërvitura.

Zarka-Levendi

Madje, kështu i ka thënë edhe trajnerit të Kombëtares së të rriturave, pasi unë grumbullohem edhe te ky ekip. Pra, trajneri Kule më ka dëmtuar jo vetëm në mosgrumbullimin për në ekipin U19, por gjithashtu edhe tek ekipi i parë, duke i thënë trajnerit Vioresin Sinani që kjo vajzë nuk stërvitet. Ai e bën çdo gjë me tendencë, vetëm për faktin se unë nuk stërvitem më me Apoloninë dhe kjo është njëlloj hakmarrjeje që ai bën ndaj meje, pasi mbron interesat e Apolonisë, skuadrës ku punon si trajner me djemtë”.

kOMBETARJA U19

Levenaj tregon gjithashtu se në Kombëtare janë grumbulluar edhe vajza që nuk stërviten me ekipet e tyre, duke u shprehur se trajneri përdor standarde të dyfishta: “Sara Begallo është një vajzë që ka luajtur edhe te Kombëtarja U19, gjithashtu edhe te Kombëtarja e të rriturave. Ajo aktivizohet me Tiranën dhe ne e kemi shoqe. Sara nuk stërvitet në Tiranë, por me një ekip U-15 për djem. Për të nuk ka pasur asnjë problem që të grumbullohet në Kombëtare”, përfundon Levenaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"