Statistikat tregojnë gjithçka / Fitues, por mos prisni mrekulli. Specialiteti i Juventusit të Alegrit quhet “1-0”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 17:02

Statistikat tregojnë gjithçka / Fitues, por mos prisni mrekulli. Specialiteti i Juventusit të Alegrit quhet “1-0”

Juventusi i Masimiliano Alegrit është rikthyer ose të paktën  ashtu duket, duke parë se edhe ndaj Romës, ashtu si në kohët “e vjetra”, skuadra gjeti avantazhin, pavar- ësisht emergjencës së plotë dhe më pas diti që të vuajë, të rezistojë deri në fund për të marrë tri pikë të vështira, por me shumë peshë. Shkurt, starti i dobët dhe plot makthe i fillimsezonit duket se është lënë pas dhe tashmë skuadra po nis të marrë formën që “Konti Maks” kërkon dhe ai shpreson që të përmirësohet sa më shumë në vazhdim.

alegri

PRAGMATISTI MAKS –  Por në pritje për të parë një Juventus që fiton më lehtë, marka e krijesës së dytë bardhezi që Alegri kërkon të formojë është ajo e një skuadre cinike ose më saktë pragmatiste, e cila është edhe “firma” e trajnerit livornez. Po, sepse Maks është një teknik i shkollës së vjetër italiane: “Të mos pësosh është hapi i parë drejt fitores, sepse titullin kampion ta jep pikësëpari mbrojtja më e mirë”. Dhe ndoshta mund të jetë edhe kështu, ndonëse përpara kësaj profecie ajo që është siguria e vetme është se Alegri është jo vetëm trajneri i fundit pragmatist në qarkullim, por mbi të gjitha mund të thuhet se është specialisti i rezultateve 1- 0. Këtë e thotë historia e tij në tokën torineze, sepse në 196 fitore në dy aventurat e tij me Juventusin, 44 triumfe kanë ardhur pikërisht në shifrat 1-0, e thënë ndryshe 22 për qind të sfidave janë fituar në këtë mënyrë. Madje, ky rezultat është vërtetuar edhe në tri ndeshjet e fundit, ato që ndoshta përbënë edhe kthesën e madhe të “Zonjës së Vjetër”: Juve- Çelsi, Torino-Juve dhe së fundmi Juve-Roma. E përkthyer në shifra të tjera.

BLLOKU ITALIAN – Përveç pragmatizmit të tij, Masimiliano Alegri ka ditur që të rikthejë më në fund edhe bllokun italian në radhët e bardhezinjve. Nëse në sezonin e kaluar, nën drejtimin e Andrea Pirlos, Juventusi u paraqit në ndeshjen e grupeve të Ligës së Kampioneve (24 nëntor 2020) ndaj Ferencvaroshit pa asnjë italian në formacionin titullar, diçka që nuk ndodhte prej 4 dekadash, kundër Romës “Konti Maks” e përballoi emergjencën duke rreshtuar 7 italianë nga 11 titullarë (Kielini, Bonuçi, De Shiljo, Lokateli, Kieza, Ken, Bernardeski). Diçka e tillë nuk shihej prej plot gjashtë vitesh, saktësisht që nga 16 maji 2015, kur në stol ulej sërish ai, Alegri. Madje, trajneri livornez pushtonte edhe “San Siro”-n, duke mundur Interin jo më me 7, por me 8 italianë: Storari, Bonuçi, Barzalji, Padoin, Sturaro, Romulo, Markizio e Matri, ndërkohë që përjashtim bënin vetëm Lihshtajner, Morata dhe Perejra.

RINGJALLET SHEZNI = Gjithsesi, e bukura e suksesit ndaj Romës ishte edhe rikthimi i Sheznit si “saraçineskë” mes shtyllave. Portieri që i dogji Juves pikë të rëndësishme me Udinezen dhe Napolin, dje ndali nga pika e bardhë Veretunë duke ruajtur avantazhin 1-0 të skuadrës, por mbi të gjitha polaku në vitin diellor 2021 ka bërë më mirë se kushdo tjetër në Serinë A duke ndalur 3 penallti nga 7 kundër. Dhe sigurisht që besimi i Alegrit pavarë- sisht gafave trashanike në fillim të sezonit kanë bërë punën e tyre edhe te “gardiani” i portës torineze.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"