Statistikat, Teuta 3 pikë më shumë se vjet pas pesë javësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 17:52

Statistikat, Teuta 3 pikë më shumë se vjet pas pesë javësh

Teuta ka bërë një start të mirë në sezonin aktual. Dy fitore, dy barazime dhe një disfatë kanë bërë që durrsakët të jenë aktualisht në kuotën e tetë pikëve në vendin e katërt.

teuta

Skuadra e Bledi Shkëmbit e pësoi humbjen e parë në javën e pestë kundër Skënderbeut në Korçë. Nëse bën një krahasim me sezonin e kaluar, kur durrsakët drejtoheshin po nga Shkëmbi, rezulton se Teuta e këtij kampionati e ka nisur shumë më mirë. Në sezonin 2018-2019, pas pesë javësh kampionat, “djemtë e detit” grumbullonin vetëm 5 pikë, pikërisht 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Edhe golavarazhi ishte negativ, me 2 gola të shënuar dhe 4 të pësuar. Tashmë është e kundërta, 4 të shënuar dhe dy të pësuar.

PËRGATITJET

Futbollistët e Teutës kanë vijuar edhe dje stërvitjen normalisht në kuadër të ndeshjes me Kukësin, që do të luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Stafi teknik dhe futbollistët janë të vetëdijshëm se duhet bërë kthesa e menjëhershme pas humbjes në Korçë. Dje Shkëmbi e ndau ekipin në dy grupe.

“Lufta” për një vend në formacion është shtuar ndjeshëm. Kjo ia thjeshtëson edhe më tepër zgjedhjet trajnerit Shkëmbi, i cili ka disa alternativa për çdo pozicion. Tashmë synohet fitorja ndaj Kukësit, ndërsa dihen vështirësitë e një përballjeje të tillë, pasi kundërshtari është pretendent për titull dhe vjen pas fitores me Tiranën.

Capture

Një tjetër humbje do të rëndonte shumë në kampin durrsak, por gjithsesi lojtarët dhe stafi janë optimistë për rezultat pozitiv. Deri më tani mungesa e vetme e konfirmuar është ajo e mesfushorit Albano Aleksi, i cili e ka plotësuar numrin e kartonëve. Fieraku i ardhur nga Luftëtari pushon në momentin më të mirë, pasi po kalonte një formë të shkëlqyer.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"