STATISTIKAT/ Shqipëria më mirë në transfertë, Izraeli në moment delikat. Ja kush janë goleadorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 16:14

STATISTIKAT/ Shqipëria më mirë në transfertë, Izraeli në moment delikat. Ja kush janë goleadorët

Izrael-Shqipëri është nga ato ndeshje që do të luftohet në maksimum. Historia ka treguar edhe më parë që mes dy ekipeve ka “betejë” në fushën e lojës, ndërsa këtë herë gjithçka vlen më shumë dhe është e rëndësishme për faktin se të dyja skuadrat kanë 3 pikë dhe do të tentojnë të kalojnë në raundin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Ka një fakt interesant mbi kuqezinjtë, të cilët japin më të mirën e tyre në ndeshjet në transfertë dhe në Izrael ka një shans të artë për të marrë kreun e grupit.

shqiperia

* Izraeli mundi Skocinë në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, duke i dhënë fund ecurisë negative prej 4 humbjesh dhe arriti fitoren e dytë në 11 ndeshjet e fundit. Mes këtyre ndeshjeve përfshihen dy humbjet ndaj Shqipërisë 1- 0 në Elbasan dhe 0-3 në shtëpi në qershorin e vitit 2017.

* Misioni për të shënuar gol ka qenë një makth për Izraelin. Dy gola në një ndeshje ishte diçka që nuk ndodhte prej marsit të vitit 2017. Për momentin, Izraeli është vetëm 5 vende nga pika më e dobët e renditjes në FIFA. Aktualisht ndodhen në vendin e 93-të, ndërsa më e dobëta ka qenë në vendin e 98-të.

* Shqipëria, e cila aktualisht renditet në vendin e 57- të të FIFA-s, gjithashtu nuk është ndonjë ekip goleador. Në fakt, Kombëtarja shqiptare ka shënuar vetëm 2 gola në 6 ndeshjet e fundit. Në 25 ndeshjet e fundit, kuqezinjtë kanë shënuar mbi 3 gola vetëm në 3 raste. Dy prej tyre kanë ndodhur në tokë të huaj, njëra prej tyre fitorja 0- 3 me Izraelin.

* Kuqezinjtë nuk kanë frikë nga transferta. Ekipi, që aktualisht drejtohet nga Kristian Panuçi, ka ecuri më të mirë kur luan në transfertë (4 fitore, 1 barazim, 5 humbje) sesa kur luan në shtëpi (3 fitore, 1 barazim, 6 humbje). Madje, ndeshjet në transfertë prodhojnë më shumë gola kur luan Shqipëria 2.8 për ndeshje.

* Ben Sahar është lojtari që duhet pasur kujdes nga mbrojtja shqiptare, pasi ka shënuar 7 gola në 42 ndeshje me kombëtaren e Izraelit. Nga ana tjetër është Bekim Balaj lojtari me më shumë gola në ekipin kuqezi: 4.

* Në tri ndeshjet e mëparshme të luajtura mes Shqipërisë dhe Izraelit ka pasur “betejë” në fushën e lojës, pasi kanë marrë 9 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq.

* Shqipëria ka shënuar 60 për qind të golave të saj në pjesën e dytë, duke llogaritur vetëm 10 ndeshjet e fundit.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"