STATISTIKAT/ Pandemia sjell goleada, ja krahasimi me 3 javët para mbylljes së futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 15:38

STATISTIKAT/ Pandemia sjell goleada, ja krahasimi me 3 javët para mbylljes së futbollit

Tre muaj pa futboll. Tre muaj me po lemika nëse ka pasur apo jo stërvitje fshehurazi. Mirëpo, Kategoria Superiore është rikthyer me më shumë gola se më parë. Jo vetëm kaq, por ekipet udhëtuese e kanë shfrytëzuar më së miri mungesën e spektatorëve në shkallët e stadiumeve, teksa tashmë fitojnë më shumë sesa më parë.

Cinari Partizani festa

“Panorama Sport” sjell statistikat krahasuese të këtyre tri javëve që janë luajtur që nga rikthimi i futbollit, me tri javët e fundit para se gjithçka të stoponte.

GOLAT

Tani shënohet më shumë. Në 15 ndeshje që janë zhvilluar në Kategorinë Superiore që nga rikthimi i futbollit, 10 ekipet e elitës kanë shënuar në total 55 gola. Kjo shpërndarje është e tillë që skuadrat vendëse kanë shënuar 29 prej tyre dhe 26 të tjerë janë realizuar nga ekipet mike.

3 JAVET E FUNDIT PARA PANDEMISE

Përpara pandemisë, Kategoria Superiore ka regjistruar 29 gola. Prej tyre, 17 të realizuar nga skuadrat vendëse dhe 12 të shënuar nga miqtë. Në krahasim, përqindja e golave për skuadrat vendëse ka rënë nga 58.6% në 52.7%. Kjo për faktin se tashmë skuadrat mike kanë shënuar rritje më të madhe të sasisë së golave të shënuar, nga 41.4% të golave të 3 javëve para pandemisë, në 47.3% në 3 javët që janë luajtur pas pandemisë.

MIQTË, SUPERIORË

Rikthimi i futbollit pa spektatorë e ka lënë shenjën e saj edhe te përqindja e fitoreve mes ekipeve vendëse dhe atyre mike. Në analizën e bërë nga “Panorama Sport”, vihet re që skuadrat mike tashmë fitojnë më shumë sesa përpara. Para paralizimit të futbollit, ekipet mike triumfonin në 4 nga 15 ndeshjet e marra në konsideratë, e barabartë me rreth 26.7% të fitoreve për këto 3 javë.

Rezultatet e cmendura

Barazimet korrespondojnë me afro 33.3% dhe fitoret e ekipeve pritëse me 40%, në 6 nga 15 ndeshjet e zhvilluara. Pas rikthimit të futbollit, në tri javët e luajtura, ekipet mike fitojnë 40% të ndeshjeve, përkatësisht 6 nga 15. Barazimet janë gjithashtu më pak, pasi janë regjistruar 3 të tilla nga 15 ndeshje, pra 20%. Ekipet vendëse kanë fituar 6 nga 15 ndeshjet, pra 40%. Kësisoj, ekipet mike kanë pakësuar me 13.3% barazimet, duke e shndërruar në triumf këtë përqindje.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"