STATISTIKAT/ Njoftoi tërheqjen nga Moto GP pas 26 vitesh, çfarë duhet të dini për legjendën Valentino Rosi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2021 | 13:57

STATISTIKAT/ Njoftoi tërheqjen nga Moto GP pas 26 vitesh, çfarë duhet të dini për legjendën Valentino Rosi

Valentino Rosi është piloti që ka lënë më shumë gjurmë në historinë moderne të motoçiklizmit, duke u shndërruar në një ikonë të këtij sporti. Nëntë tituj kampion, shtatë nga të cilët në klasin mbretëror të fituar fillimisht me Hondan, më pas me Yamahan e rigjeneruar, duke përshkruar të paktën tri epoka të ndryshme në motoçiklizëm, me kalimin historik nga 500 cc në Moto GP. Numrat janë një tregues i qartë i karrierës së jashtëzakonshme të Valentino Rosit.

Vale Rosi

“Doktori” regjistron 115 gara të fituara, është ngjitur plot 235 herë në podium dhe ka realizuar 65 “pole position”. Të gjitha këto rezultate të arritura në 26 sezone, teksa për 18 vite ka qenë gjithnjë në një nga tri vendet e para të klasifikimit të përgjithshëm për pilotë. Talenti nga Tavulia ka debutuar në Botërorin 125 cc kur ishte vetëm 17 vjeç dhe është piloti i vetëm në historinë e motorëve që ka fituar të paktën një kampionat në secilën nga kategoritë ku ka garuar, teksa regjistron triumfe në 4 klase të ndryshme (125, 250, 500 dhe Moto GP).

Titulli i parë për “Doktorin” daton në vitin 1997 në kategorinë 125 cc, ndërsa dy vite më vonë do të vinte suksesi në klasin 250 cc, i ndjekur më pas nga triumfi në 500 cc në vitin 2001. Më pas nis epoka e Moto GP-së, ku numëron edhe 6 tituj të tjerë kampion me Hondan dhe Yamahan (me këta të fundit mban edhe rekordin absolute të fitoreve), ndërsa suksesi i fundit daton në vitin 2009.

“Doktori” është piloti i vetëm që ka arritur të fitojë në Moto GP me motorët 500cc, 990cc dhe 800cc. Sakaq është i dyti bashkë me Edi Louson, që ka arritur të fitojë kampionate për dy vite radhazi me marka të ndryshme motorësh, teksa u shpall kampion në vitin 2003 me Honda RC211V dhe në vitin 2004 në debutim me Yamaha M1. Arritjet e Rosit janë të pafundme në një hark kohor prej më shumë se 20 vitesh, aty ku ka sfiduar dhe mposhtur kundërshtarët më të vështirë me të cilët është përballur, duke nisur nga Maks Biaxhi, Kejsi Stoner, Noboru Ueda, Lor Kapirosi, Sete Xhibernau apo Horge Lorenco.

Në vitin 2015 ishte shumë pranë titullit të dhjetë kampion, të cilin e humbi mes shumë polemikash në garën e fundit në Valencia. Edhe në 2016 “Doktori” nuk ia doli, megjithatë la gjurmë me 2 fitore, për t’u pozicionuar në vend të shtatë në fund të sezonit. Ndërsa që prej vitit 2017 ka nisur edhe faza e rënies, teksa italiani e mbylli kampionatin me vetëm një fitore duke u renditur i pesti. Pikërisht në vitin 2017 daton edhe gara e tij e fundit e fituar në Moto GP. Në 2018-ën ndonëse pa u ngjitur asnjëherë në shkallën më të lartë të podiumit, Rosi e mbylli sezonin në vend të tretë.

Vitet 2019 dhe 2020 kanë qenë të komplikuara dhe më shumë vështirësi, me pilotin e Yamahas që nuk ka mundur shkojë më shumë se vendi i shtatë dhe i 15- të. Në sezonin e tij të fundit, atë aktual, 42-vjeçari kaloi në skuderinë Petronas, por rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin, teksa deri më tani “Doktori” numëron vetëm 17 pikë duke u pozicionuar në vendin e 19-të në renditje.

Megjithatë, ndonëse rezultatet vitet e fundit kanë qenë në rënie, Valentino Rosi është shndërruar në një markë të vërtetë, teksa popullariteti i tij ka ardhur gjithnjë në rritje, duke qenë sportisti italian më i ndjekur në rrjetet sociale, me 13 milionë fansa në “Facebook” dhe 10.8 në “Instagram”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"