Statistikat në favor, Lushnja në shtëpi e nis… mbarë/ Në 5 premierat e fundit, kanë vetëm një humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2022 | 0:03

Statistikat në favor, Lushnja në shtëpi e nis… mbarë/ Në 5 premierat e fundit, kanë vetëm një humbje

Lushnja është thuajse gati për startin. Kalendarin e ka në krahë, pasi dy ndeshjet e para do t’i luajë në “Roza Haxhiu”. Pa kaluar te java e dytë, fillimisht duhet të kalojnë të parën. Kundërshtar do të kenë Burrelin dhe synimi mbetet marrja e pikëve të plota. Vështirësi ka, por duhet thënë që edhe statistikat i kanë në favor.

LUSHNJA

Verdhejeshilët i kanë nisur pozitivisht premierat si skuadër shtëpie. Bën përjashtim vetëm sezoni 2018-2019, kur skuadra luante në Superiore dhe është mundur në start 0-2 nga Vllaznia (edhe pse duhet saktësuar se atë sfidë e kanë zhvilluar në Fier). Në 4 të tjerat kanë dalë fitimtarë (tri në Kategorinë e Parë dhe një në Superiore).

Ngërçi i vetëm ndoshta lidhet me fushën. Edhe pse është ndërhyrë për t’i ndryshuar pamjet impiantit, terreni është po ai. Tapeti nuk është ndërruar dhe gjendja e tij ka degraduar. Ky proces pritet të nisë në periudhën e vjeshtës. Lushnja e përfundoi kampionatin e kaluar me një fushë futbolli të amortizuar dhe jashtë standardeve të rregullores së infrastrukturës së FSHF-së. Tapeti i fushës ka 5 vjet në përdorim dhe është në limitet e afateve maksimale të përdorimit (tetor 2017-tetor 2022).

BASHA – Lushnjarët zbritën dje në fushë për të nisur përgatitjet për javën e parë. Skuadra ka ndryshuar shumë këtë vit dhe pretendimet janë më të mëdha. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi Adriatik Basha shprehet: “Lushnja ka zhvilluar një fazë të kënaqshme. Kemi qenë maksimalisht të angazhuar dhe mendoj se jemi gati. Nisëm përgatitjet për ndeshjen e parë. Besojmë se në fushën tonë, para publikut tonë, do ta nisim mbarë kampionatin, me fitore. Të marrim tri pikët e para”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"