Statistikat/ Mavraj ishte regjisori, Agolli “hajdut” topash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 20:56

Statistikat/ Mavraj ishte regjisori, Agolli “hajdut” topash

Mërgim Mavraj në versionin Leonardo Bonuçi. Kristian Panuçi kërkon që skuadra e tij të dalë me pasime drejt fushës kundërshtare dhe kjo gjë i dha frytet të paktën në ndeshjen me Italinë. Nga statistikat e publikuara nga “Gazzetta Dello Sport” rezulton që mbrojtësi i kuqezinjve ishte lojtari i parë për pasime, duke lënë pas edhe mesfushorët si Basha dhe Kaçe.

Mavraj

Ansi Agolli ishte i pari për rikuperimin e topave dhe ia doli nëntë herë të surprizonte kundërshtarin duke i “vjedhur” kohën dhe topin. Grezda provoi më së shumti të godiste portën kundërshtare, ndërsa Roshi nuk ia doli asnjëherë të driblonte.

Agolli

MAVRAJ ORGANIZATOR

Ndodh rrallë që një mbrojtës të ketë më shumë pasime sesa mesfushorët e ekipit, por Mërgim Mavraj ia doli që ta thyente këtë “ligj” të pashkruar të futbollit. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare arriti të rrëmbente skenën e Bashës dhe Kaçes për pasime të kryera, edhe për faktin se ekipi kuqezi e qarkulloi më shumë topin në mesfushën e tij dhe jo  në atë kundërshtare.

kandreva gol shqiperi itali

Në këtë pikë, Mavraj ishte në versionin Bonuçi dhe bëri më shumë pasime sesa të tjerët. Ai arriti të pasonte topin te shokët e skuadrës 45 herë, ndërsa i dyti për këtë aspekt ishte Migjen Basha (36).

Pas mesfushorit vinte Kaçe me 35 pasime, Veseli 34, Hysaj 33, Agolli 27 Memushaj 12, Lila 8, Ahmedi 2 dhe Latifi 1. Në këtë aspekt, “mbreti” i pasimeve ishte Mavraj, sepse ai dha edhe 5 topa të gjatë shumë të bukur për futbollistët e repartit të avancuar.

SPIKAT AGOLLI

Nëse Mavraj ishte më i miri për pasime, për topat e rikuperuar duhet t’ua lërë vendin e parë shokëve të repartit. Ansi Agolli ishte ai që “vodhi” më shumë topa nga kundërshtarët (9), por gaboi atëherë kur nuk duhej dhe Shqipëria pësoi gol. Veseli dhe Hysaj arritën të fitonin duelet me kundërshtarët 7 herë.

shqiperia-587x330

Madje Mavraj humbet podiumin në këtë pikë, pasi Basha gjithashtu arriti t’ua rrëmbejë topin kundërshtarëve 7 herë në mesfushë për të nisur sa më shpejt sulmin e skuadrës. Mavraj rikuperoi 6 topa, Kaçe dhe Memushaj nga 4, ndërsa Lila vetëm 2.

GREZDA “SNAJPER”

Eros Grezda ishte lojtari që provoi më shumë të godiste portën e Italisë mbrëmjen e së hënës për të surprizuar Bufonin, por ky i fundit e ndali në të tre rastet. Pas Ederit dhe Kandrevës me 4 goditje, Grezda ishte i treti i të gjithë ndeshjes.

ahmedi grezda

Pas Grezdës, në radhët e Shqipërisë ishte Roshi që provoi dy herë të gjente portën, por nuk ia doli. Sadiku gjithashtu tentoi vetëm 1 herë të thyente portën e Italisë, ndërsa pjesa tjetër Kaçe, Memushaj, Basha Latifi dhe Lila nuk kishin mundësi të provonin goditjen.

ROSHI ZHGËNJEN

Odise Roshi nuk ishte në ditë të mirë. Ai nuk ia doli asnjëherë të ishte i rrezikshëm dhe të ndihmonte Kombëtaren për të gjetur golin. Arma më e fortë e tij është driblimi i kundërshtarëve, por ndaj Italisë nuk ia doli të bënte asnjë driblim.

roshi

Sadiku dhe Grezda dribluan dy herë, por shumë pak për të krijuar epërsi numerike në fushën kundërshtare dhe për t’i kaluar në avantazh kuqezinjtë.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"