Statistikat kundër Vllaznisë, pesë vite pa fituar përballë Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 11:08

Statistikat kundër Vllaznisë, pesë vite pa fituar përballë Luftëtarit

Vllaznia do të kërkojë nesër fitoren ndaj Luftëtarit, si të vetmen mundësi për të dalë nga kriza ku dhe është futur. Kush do të triumfojë në këtë përballje, do të hedhë një hap të rëndësishëm për arritjen e objektivit kryesor: largimin nga fundi i tabelës.

vllaznia

Vllaznia dhe Luftëtari ndodhen në kuotë të barabartë pikësh (9) dhe jo më kot e konsiderojnë këtë takim si shumë të rëndësishëm, sepse kalendari në vijim mund të dhurojë të papritura të pakëndshme për ta. Vllaznisë në këtë takim do t’i duhet që të marrë medoemos një fitore për “frymëmarrjen e duhur”, mirëpo një gjë të tillë ndaj gjirokastritëve, kuqeblutë nuk e kanë arritur prej 5 vitesh.

Për herë të fundit që Vllaznia ka mposhtur Luftëtarin në kampionat daton më 16 shtator 2012, kur ekipi i drejtuar në atë kohë nga Shpëtim Duro fitonte 3-0 në “Loro Boriçi”. Që nga ajo kohë dhe deri më tani janë luajtur 6 ndeshje. Dy herë kanë fituar gjirokastritët dhe në katër raste ndeshjet kanë përfunduar në barazim. Në sezonin e kaluar, në ndeshjen e fazës së dytë në Shkodër, Luftëtari fitoi 2-3, ndërsa tri sfidat e tjera u mbyllën në barazim.

Dy prej barazimeve ishin në rezultatin e bardhë 0-0, ndërsa në fazën e katërt 2-2. Po ashtu, interesant është edhe fakti tjetër se nga autorët e nëntë golave që kanë shënuar këto dy skuadra në përballjet e një sezoni më parë, vetëm njëri prej tyre vazhdon të luajë sërish me të njëjtën skuadër.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e Vllaznisë, Antonio Marku. Të tjerët nuk janë më pjesë e ekipeve dhe bëhet fjalë për Elis Bakajn e Ndriçim Shtubinën te Vllaznia. Ndërsa te Luftëtari, sulmuesi Rexhinaldo dhe mbrojtësi Edi Nikolas Bojom.

TOTALI

Në total, shkodranët janë në avantazh ndaj gjirokastritëve. Janë ndeshur deri më tani 76 herë dhe Vllaznia ka arritur të fitojë më shumë se gjysmën e ndeshjeve, plot 45. Ndërsa Luftëtari ka fituar vetëm 16 takime përballë shkodranëve, pasi 15 të tjera janë mbyllur në barazim. Golavarazhi është pozitiv për shkodranët, 129-58.

MUNGESAT

Vllaznia do të ketë dy mungesa të sigurta ndaj Luftëtarit, pikërisht mbrojtësin Denis Pjeshka dhe mesfushorin Ardit Krymi. Por, stafi teknik është i shqetësuar edhe për gjendjen e Olsi Gocajt e Edon Hasanit, që kanë pasur shqetësime në takimin e fundit ndaj Lushnjës. Megjithatë, të dy pritet të sakrifikojnë kundër Luftëtarit. Sot trajneri Gjoka do të ketë një ide më të qartë për grupin e lojtarëve.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"