STATISTIKAT/ Kukësi, rekord për golat në 10 vite pas 15 javëve (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 19:10

STATISTIKAT/ Kukësi, rekord për golat në 10 vite pas 15 javëve (FOTO)

Kukësi ka qenë nga ekipet surprizë të këtyre 15 javëve kampionat, sepse të paktë ishin ata që e shihnin këtë skuadër si forcën e dytë të Superiores, duke parë edhe ndryshimet e mëdha të pësuara në merkaton e verës.

Kukesi kryesuesi

Mirëpo, verilindorët tejkaluan pritshmëritë dhe aktualisht janë skuadra më e afërt me kryesuesit e Tiranës dhe në njëfarë mënyre vijojnë të mbajnë gjallë ende shpresat për t’u shpallur kampion për herë të dytë në histori.

Përpos paraqitjeve pozitive, Kukësi ka arritur të thyejë një rekord në këto 10 vite në elitë, atë sa i përket golave të shënuar deri në muajin dhjetor, jo vetëm duke qenë sulmi më i mirë i kampionatit aktualisht, por duke “mundur” veten e tij në një dekadë, sepse asnjëherë më parë nuk kishte shënuar sa këtë sezon.

Megjithatë, nëse mbrojtja thuhet se të jep titullin, mbetet për t’u parë nëse edhe sulmi mund ta japë atë.

SHIFRAT
“Panorama Sport” i bën një krahasim shifrave të një dekade të Kukësit në elitë sa i përket rrjetave të shënuara, ku është dukshëm më mirë me të kaluarën, paçka se mbetet për t’u parë me vazhdimësinë se çfarë do të fitojë në fund.

Kështu, me 29 golat e shënuar Longo i “mund” të gjithë paraardhësit e tij te Kukësi në këtë aspekt, ndonëse për ironi të fatit vjen nga shkolla italiane, me këtë të fundit që nuk shquhet për një futboll ofensiv.

Ekipi i Mlladen Milinkoviç në sezonin 2017-2018 i afrohet paksa me 25 gola të shënuar, si edhe ai i Shpëtim Duros në sezonin 2019-2020 me 23 gola. Sa i përket sezoneve të tjera, në shtatë vite Kukësi nuk e kishte arritur asnjëherë shifrën e mbi 20 golave për 15 javë.

Megjithatë, ajo që e “dëmton” paksa skuadrën aktuale janë rrjetat e pësuara, plot 16, edhe pse gjithsesi nuk është mbrojtja më e keqe në historinë e klubit.

Mbetet për t’u parë nëse efikasiteti në sulm do t’i japë titullin Kukësit, sepse me Ernest Gjokën në krye, verilindorët e fituan titullin nga… mbrojtja.

PIKËT
Sakaq, sa i përket pikëve të fituara, sepse në fund të një kampionati ato janë më të rëndësishme, Kukësi i këtij sezoni është i treti. Mbetet pas ekipit kampion, i cili pas 15 javësh kishte plot 31 pikë dhe atij të sezonit 2014-2015 që drejtohej nga Artim Shaqiri, i cili kishte grumbulluar 29 pikë.

Megjithatë, e rëndësishme është që skuadra aktuale vijon të jetë në garë dhe shifrat për t’u shpallur kampione i ka në favor, mbetet vetëm të shihet se çfarë do të bëhet me vazhdimësinë.

statistika kukesi

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"