Statistikat interesante të supersfidës në “Allianz”/ Kieza kundër tabusë Roma, Juventusi sfidon “viktimën” e preferuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 14:45

Statistikat interesante të supersfidës në “Allianz”/ Kieza kundër tabusë Roma, Juventusi sfidon “viktimën” e preferuar

Juventus-Roma, nëse bazohemi në statistikat e përgjithshme duket se nuk ka histori. Jo vetëm për faktin se në “Allianz Stadium” bardhezinjtë kanë fituar 9 nga 10 ndeshjet e fundit (përjashtim bën vetëm disfata 1-3 e gushtit 2020), por mbi të gjitha për faktin se “Zonja e Vjetër” numëron 83 fitore në histori, në Serinë A kundër kryeqytetasve, duke qenë viktima e dytë e preferuar pas Interit (85 fitore).

juve roma

Në të njëjtën kohë, Roma është kundërshtari i dytë së cilës Juventusi i ka shënuar më shumë, 269 gola (vetëm Lacio ka pësuar më shumë nga Juvja, 275 gola). Në të njëjtën kohë, ky duel i së dielës (nesër) do të shohë nëse Juventusi e ka kaluar vërtet krizën e këtij fillimsezoni, pasi nëse arrin që të marrë 3 pikët do të shënojë për herë të parë katër suksese radhazi në kampionat, që nga korriku i vitit 2020.

Nga ana tjetër, nëse Roma humb do të barazojë rekordin e saj më të keq brenda një viti diellor duke qenë se 10 humbje në transfertë (në 2021 numëron 9 disfata) nuk i regjistronte që nga 2012-ta apo akoma më përpara, që nga 1977-ta. Bardhezinjtë, duke mos pasur sigurinë se Dibala dhe Morata do të mund të rikuperojnë, do t’i varin të gjitha shpresat e tyre në sulm te Federiko Kieza.

Por edhe numri 22 i “Zonjës së Vjetër” duket sikur “trembet” kur sheh përballë “Ujkonjën”, duke qenë se në 6 takime që ka luajtur kundër jo vetëm nuk i ka shënuar asnjëherë, por nuk ka mundur të japë dot asnjë asist.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"