STATISTIKAT/ Hija e vetvetes, kjo Barça më e dobët e 25 viteve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 22:22

STATISTIKAT/ Hija e vetvetes, kjo Barça më e dobët e 25 viteve të fundit

Barcelona vazhdon të jetë hija e vetvetes në La Liga këtë sezon dhe nga java në javë konfirmon situatën e vështirë në të cilën ndodhet.

barcelona 2

Skuadra e Ronald Kumanit nuk mund të kishte bërë një start më të dobët të 2020-‘21, i cili u konfirmua edhe një herë tjetër me paraqitjen e katalanasve në “Wanda Metropolitano” të shtunën, ku skuadra e Mesit humbi përsëri (1-0).

Katalanasit kanë grumbulluar vetëm 11 pikë nga 24 të mundshmet deri në këtë fazë të kampionatit. Ata kanë regjistruar tri fitore, dy barazime dhe tri humbje në tetë javët e para, statistika të cilat në këtë moment nuk mund të japin shpresë për një garë rivalizuese për të fituar titullin në fund. Shumë pikë të lëna pas, aq sa e bëjnë këtë skuadër më të dobëtën në 25 vitet e fundit.

Nuk ndodhte që prej sezonit 1995-1996 që Barcelona të bënte një nisje kaq të dobët të një sezoni, kur hyri në fuqi sistemi i tre pikëve për fitore. Dhe rezultatet e fundit më të dobëta të krahasueshme me skuadrën e sotme, katalanasit i arrinin në sezonin 2002-2003 dhe 2003-2004.

messi2

E megjithatë, sërish në këto sezone, ata regjistronin tri fitore, tri barazime dhe dy humbje në tetë ndeshjet e para, duke grumbulluar në total 12 pikë, një më shumë sesa skuadra e Ronald Kumanit këtë sezon. Tri humbje në kaq pak javë të luajtura janë shumë për një skuadër si Barcelona dhe është shumë e vështirë për të gjetur precedentë.

Ata humbën tri herë edhe gjatë sezonit 2000-2001, por fitonin katër ndeshje dhe në klasifikim kishin 13 pikë, sërish më mirë sesa pozicioni në të cilin ndodhen aktualisht, me dy pikë më shumë në tabelë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"