Statistikat flasin qartë, Gjata “eklipson” Branicën. Talenti 19-vjeçar po shkëlqen te Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2019 | 23:17

Statistikat flasin qartë, Gjata “eklipson” Branicën. Talenti 19-vjeçar po shkëlqen te Apolonia

Sytë e fierakëve janë tashmë te ndeshja e radhës. Humbja në “Roza Haxhiu” fundjavën që shkoi i ka shkundur mirë dhe po punojnë kokulur për ndeshjen e së shtunës, e fundit për këtë vit kalendarik. 

Mario Gjata

Në Fier do të jetë “bujtëse” Turbina, skuadër e lehtë në letër, por jo e tillë në fushë. Ca më tepër që cërrikasit kanë një ultimatum nga presidenti i tyre pas rezultateve të dobëta të javëve të fundit. Gjithsesi, Apolonia nuk bën llogaritë e kundërshtarit, por të vetat, ndaj edhe këtë ndeshje e vlerëson me seriozitetin maksimal.

GJATA – Rritet sportivisht javë pas jave 19-vjeçari fierak. Pjesëmarrës në 8 gola të Apolonisë këtë sezon, 3 të shënuar, 3 penallti të fituara (2 shënuar nga Branica, 1 nga Hysenshahaj) dhe 2 asiste. Në rolin e “torrës”, sulmuesi Mario Gjata e ka sfiduar hapur “ekuivalentin” e tij, lojtarin e përvojës Klejdi Branica, ky i fundit larg pritshmërive për të cilën e mori Apolonia (pa llogaritur dëmtimet).

Mario Gjata Apolonia

Statistikat flasin qartë: Gjata – 576′ në 10 ndeshje, 3 gola aksioni; Branica – 555′ në 7 ndeshje, 3 gola (2 me penallti të fituara nga Gjata). Përtej statistikave faktike të evidentuara, Gjata as që merret me to, por flet për skuadrën. “Nuk merrem me statistika, nuk më interesojnë fare ato, por Apolonia, – thotë Gjata. – Pak rëndësi ka cili lojtar fiton një goditje dënimi a penallti, cili jep një asist dhe kush shënon, rëndësi ka që skuadra të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Jemi grup, jemi Apolonia, jemi skuadër dhe nuk funksionojmë si individë”.

 TURBINA – Në ndeshjen e radhës pritet që Gjata të jetë sërish në majën e sulmit fierak, çka vetë lojtari e cilëson si obligimin e radhës. Është zhbllokuar nga makthi i golit dhe ia ka qejfi vazhdimësinë edhe kësaj fundjave. “Nuk është e lehtë Turbina. Kështu mendojnë ata që e shohin nga jashtë, ndërsa ne e vlerësojmë seriozisht.

Duam dhe duhet ta fitojmë patjetër këtë sfidë të radhës si ‘detyrim’ fushe, si autokritikë ndaj tifozëve tanë për humbjen me Lushnjën dhe si vazhdimësi për objektivat e sezonit. Në aspektin personal? Do të luftoj fort për golin e radhës, por edhe në mos shënofsha, rëndësi ka fitorja jonë”, përfundon sulmuesi 19-vjeçar i Apolonisë, Mario Gjata, i cili përbën dyshen sulmuese bashkë me Mihanën në këto javë të fundit të kampionatit.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"