Statistikat e Rejas me Shqipërinë, ja 3 besnikët e italianit. Cikalleshi shpërthen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 21:56

Statistikat e Rejas me Shqipërinë, ja 3 besnikët e italianit. Cikalleshi shpërthen

E kujtoni periudhën e Panuçit në Ko mbëtare, kur të gjithë shfrynin, të gjithë kritikonin dhe Kombëtarja dukej e shpartalluar?

Reja

Periudhë e errët, kur u ftuan lojtarë pa hesap dhe kur shumëkush u bë pjesë e kuqezinjve. Me ardhjen e Rejas, gjërat kanë ndryshuar, ambienti është rinovuar dhe, mbi të gjitha, skuadra luan futboll. Prodhon lojë dhe raste. “Panorama Sport” bën një skaner të statistikave të trajnerit të Kombëtares. Lojtarët më të aktivizuar, ata që nuk kanë humbur asnjë ndeshje apo edhe ata që nuk kanë luajtur asnjë minutë me Rejan në krye. Cikalleshi është prej atyre që përmendet gjithkund…

“3 BESNIKËT”

Çdo trajner ka preferencat e tij për lojtarët. Për Edi Rejan, tre futbollistët që nuk kanë munguar në asnjë nga gjashtë ndeshjet e tij, janë Ardian Ismajli, Sokol Cikalleshi dhe Amir Abrashi. Qendërmbrojtësi i Hajduk Splitit numëron 539 minuta të luajtura dhe ndiqet nga sulmuesi, me 389, dhe mesfushori i Frajburgut, me 378 minuta. Me nga një ndeshje më pak, pra të aktivizuar në pesë të tilla, janë Frederik Veseli dhe Odise Roshi. I pari me 384 minuta dhe i dyti me 196.

edi reja

GOLAT

Shqipëria ka shënuar 11 gola nën drejtimin e Edi Rejas. Me italianin në krye, kuqezinjtë shënojnë të gjithë, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues. Sokol Cikalleshi është në kuotën e katër golave të shënuar dhe ndiqet nga shtatë futbollistë që e kanë gjetur rrjetën nën drejtimin e 74-vjeçarit. Nga mbrojtësit kanë shënuar Hysaj dhe Dermaku. Keidi Bare, Ylber Ramadani dhe Lorenc Trashi i shtohen listës së golashënuesve me nga një realizim. Më tej, Odise Roshi dhe Rei Manaj kanë shënuar emrin në listën e atyre që kanë gjetur rrugën e rrjetës në këto gjashtë ndeshje të fundit të kuqezinjve.

FUTBOLLISTËT

“Kam nevojë që ta reduktoj listën e futbollistëve, për të pasur një grup të ngurtësuar, pasi nuk më pëlqejnë listat e gjata. Cilido që mbetet jashtë listës, nuk është i përjashtuar, por marr vetëm lojtarët që më përshtaten për atë ndeshje që kemi për të luajtur”, tha Reja së fundmi. Në tri grumbullimet që ka bërë, Reja ka shënuar në listat e tij 37 emra, shumica prej të cilëve janë edhe futbollistë që i ka gjetur në skuadër nga trajnerët para tij. “Kam ruajtur një pjesë të lojtarëve që kishte Panuçi në ekip. Kemi ende punë për të gjetur elementë të rinj”, ka shtuar ai në një nga daljet e fundit për mediat.

Capture

PA LUAJTUR

Nëntë futbollistë nuk kanë zbritur ende në fushën e lojës me Rejan në krye të Kombëtares. Mes tyre, Alban Hoxha dhe Gentian Selmani, të cilët vuajnë dominimin nga forma e mirë që po kalojnë Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha, të dy në Serinë A. Më tej, janë Egzon Binaku, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Enea Mihaj dhe Ivan Balliu. Në grumbullimin e fundit, Hysen Memolla dhe Taulant Seferi ishin gjithashtu dy futbollistë që nuk patën asnjë minutë. Ky i fundit ishte për herë të parë në Kombëtaren A, bashkë me Selahin.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"