STATISTIKAT E DEBUTIMIT/ Inter, të paktën fitove Asllanin! E nisi me 96% saktësi pasimi në të parën si titullar në “San Siro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 22:57

STATISTIKAT E DEBUTIMIT/ Inter, të paktën fitove Asllanin! E nisi me 96% saktësi pasimi në të parën si titullar në “San Siro”

Më i riu në fushë dhe të gjithë projektorët të drejtuar nga ai. Për Kristjan Asllanin ishte e para si titullar, pas vetëm 23 minutash të luajtura në total në 7 përballjet e mëparshme të këtij fillimsezoni të Serisë A dhe misioni nuk ishte aspak i lehtë: të zëvendësonte Marselo Brozoviçin.

asllani

Talenti shqiptar i Interit e kishte goditur një herë “San Siron”, sezonin e kaluar në Kupën e Italisë, por këtë herë me bluzën zikaltër ndoshta nuk priste që ta niste me humbje, por e sigurt është që ai ka fituar pikësëpari besimin e tifozëve të tij, por edhe atë të Simone Inzagit, sepse 20- vjeçari bëri një ndeshje për t’u vënë në kornizë. Po, vërtet e nisi pak me emocion, por me t’u shkrirë akulli i debutimit si titullar në stadiumin e tij, Asllani merr vetëm duartrokitje. Ndoshta sepse kundrejt shokëve të tjerë të ekipit ishte më i kthjellët psikologjikisht dhe bën detyrën e tij me siguri, ndonëse në mjaft raste shokët e Interit e injoruan në situata të rëndësishme.

Gjithsesi, Kristjan Asllani kishte nga ana e tij lojtarin më të rëndësishëm, publikun, i cili në minutën e 38- të u çua i gjithi në këmbë për lojtarin kuqezi, kur tregon se di të bëjë edhe “punët e pista” në fushë, kur lëshohet në sparkatë ndaj Zaniolos në tentativë për t’u lëshuar në kundërsulm. Në atë moment Interi kryesonte 1-0, por edhe në të dytën, deri në minutën e 77-të kur la lojën, populli zikaltër ishte i gjithi me Asllanin, sepse edhe shifrat e konfirmojnë në fund të ndeshjes këtë, madje duhet të mbahen mirë shënim.

asllani

62 prekje topi… Bën gjëra të thjeshta vërtet, por në ndeshjet që nisin mirë dhe përfundojnë keq, janë pikërisht këto detaje që duken të vështira dhe shpesh bëjnë diferencën. Asllani gjithsesi tregon edhe shumë klas, duke dërguar 5 pasime të gjata milimetrike drejt sulmit dhe mbi të gjitha kur godet portën, për pak sa nuk bën “San Siron” që t’i shemben themelet. Në të 65- ën, ai merr një top në hyrje të zonës dhe godet, por edhe pse tifozët ulërasin për gol, sfera nuk shkon në rrjetë për çështje milimetrash.

Kristjani është gati për Interin, edhe pse e para për të nuk kishte festë në fund. Të shtunën Interi humbi një ndeshje, por fitoi një yll të së ardhmes, një lojtar që ndoshta do të bënte edhe më mirë së bashku me Brozoviçin në fushë, duke ndarë edhe detyrat. Sepse për një fantazist përpara mbrojtjes, kur sheh se në fund të ndeshjes së tij fiton 3 nga 5 duele fizike dhe bën 4 ndërhyrje me rrëshqitje e 5 spastrime, ndoshta meriton më shumë besim, sesa thjesht 23 minutat që Simone Inzagi i kishte dhënë deri përpara Romës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA = PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"