Statistikat/ Dalipi “djeg” Iulianon me 5 ndeshje, më mirë edhe se Starova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 11:54

Statistikat/ Dalipi “djeg” Iulianon me 5 ndeshje, më mirë edhe se Starova

Partizani i këtij sezoni është konsideruar si skuadra e rekordeve, ku pa dyshim starti u mbush me të dhëna negative. Ndonëse u shpenzua shumë në verë, pjesa e parë e kampionatit ka qenë ndër më të errëtat që ka vendosur klubi në historinë e tij. Në 28 javë kampionat Partizani është drejtuar nga tre trajnerë.

dalipi

Mark Iuliano e drejtoi ekipin në 9 ndeshjet e fazës së parë, ku u vendos edhe një rekord “i zi”, që nuk kishte ndodhur më parë, në katër javët e para skuadra nuk shënoi asnjë gol. Nga java e 10-të deri në të 23-ën, të kuqtë u drejtuan nga trajneri Sulejman Starova.

Edhe në këtë periudhë, të kuqtë nuk i shpëtuan arritjes së një tjetër rekordi “të zi”, ku më 17 dhjetor u mundën 5-0 në Gjirokastër, duke regjistruar kështu humbjen më të thellë të Partizanit në elitë, në 72 vite histori si klub. Nga java e 24-t e deri më sot të kuqtë drejtohen nga trajneri Klevis Dalipi, i cili me ecurinë e tij në pesë javët e fundit i mund ndjeshëm paraardhësit e tij.

iuliano dalipi

Në drejtimin e Dalipit, Partizani ka marrë 13 pikë në 5 ndeshje, me 4 fitore dhe 1 barazim dhe me golavarazh 8-0. Me këto të dhëna Dalipi e “djeg” Mark Iulianon me katër ndeshje më pak. Nën drejtimin e Iulianos, Partizani mori 11 pikë në 9 ndeshje, ndërsa Dalipi ka 13 pikë në 5 javë. 42-vjeçari në 5 javë ka ecuri më të mirë edhe se Starova në startin e tij.

Starova

Në 5 javët e para, të kuqtë nën drejtimin e Iulianos morën 5 pikë, me 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje dhe me golavarazh negativ, 2-5. Ndërsa ecuria e Starovës me të kuqtë në pesë javët e para është pozitive. Gjatë kësaj periudhe, të kuqtë morën 10 pikë në 5 ndeshje, me 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje dhe me golavarazh 7-3.

Krahasimi

Por, Dalipi në pesë javë i ka të dhënat shumë pozitive, pasi ka marrë 13 pikë, me 4 fitore dhe 1 barazim dhe golavarazh 8-0. Me trajnerin elbasanas, të kuqtë po tregohen efikas para porte, si dhe të pamposhtur në fazën mbrojtëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"