STATISTIKAT/ Bilanci i Partizanit në epokën “Demi”, sezoni aktual rezulton më zhgënjyesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2020 | 20:55

STATISTIKAT/ Bilanci i Partizanit në epokën “Demi”, sezoni aktual rezulton më zhgënjyesi

Partizanit iu deshën 26 vite pritje për të rikthyer titullin kampion dhe puna e kryer në sezonin e fundit me në krye trajnerin Skënder Gega mendohej se do t’u shërbente të kuqve si një manual suksesi për vazhdimësinë. Realiteti postkampion ka treguar të kundërtën, pasi u zhbë rruga e suksesit me pretendimin e ndërtimit të një skuadre europiane, që pas 26 javësh kampionat e shikon veten jashtë Kupave të Europës. Ndonëse bëhet fjalë për një në edicion ndër më të investuarit e epokës “Demi” në Superiore, Partizani jo vetëm që nuk është sjellë si skuadra kampione në fuqi, por i ka të gjitha parametrat më dobët se në gjashtë sezonet e shkuara në Superiore.
super-kupa-partizani-kampion

Statistikat nuk të lënë të devijosh në të tilla raste dhe nga ballafaqimi i shifrave del në një konkluzion të pastër: Partizani aktual është më i dobëti i epokës “Demi” në Superiore pas 26 javësh. Në asnjë nga gjashtë kampionatet e shkuara nuk kishte ndodhur që të kuqtë e kryeqytetit të ishin kaq poshtë në renditje dhe me më pak pikë të grumbulluara. Aktualisht skuadra e drejtuar nga trajneri Adolfo Sormani mban vendin e gjashtë në renditje. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur nën financimin e presidentit Gaz Demi që Partizani të ishte kaq poshtë në klasifikim. Madje, edhe në sezonin problematik të administruar nga italianët, Moxhi-Preiti dhe që nis me Mark Iulianon trajner, ku më pas frenat i mori drejtori Olsi Rama, pas 26 javësh ekipi ndodhej i treti me 39 pikë, një më shumë sesa ka skuadra aktuale.
partizaniiii
Sa u përket pikëve, që janë 38, del qartë se janë më dobët jo vetëm se Partizani i italianëve, por edhe ai ekip që u kthye në elitë (2013-2014), ku në këtë periudhë të kampionatit kishte grumbulluar 41 pikë dhe mbante vendin e tretë. Nuk janë vetëm pikët dhe renditja ato që “e nxijnë” Partizanin aktual, pasi këtë vit ata kanë vendosur edhe një rekord negativ, duke qenë ekipi i epokës “Demi” që pëson më shumë gola në 26 javë kampionat. 27 janë golat e pësuar, që i bie 1.04 gola për ndeshje. Nëse dikur “demat” krenoheshin me soliditetin në mbrojtje, këtë edicion janë të brishtë, madje në tri raste kanë realizuar edhe autogola. Partizani i këtij sezoni, që nisi me trajnerin Franko Lerda dhe që vazhdon me italianin tjetër Adolfo Sormani, është ekipi që ka pësuar më shumë humbje, 10, pas 26 javësh kampionat në 7 edicionet e fundit në Superiore. Sipas statistikave, del se Partizani më i mirë në 26 javë ka qenë ai vjetshmi dhe i sezonit 2016- 2017, me 54 pikë.

7 vite
Bilanci i Partizanit gjatë presidencës “Demi”

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"